Skip to content

Itali! Një biletë dy euro për Shatërvanin e famshëm të Trevit do të jetë në dispozicion nga 1 shkurti 2026

Duke filluar nga 1 shkurti 2026, turistët do të duhet të paguajnë një biletë prej 2 eurosh për të hyrë në Shatërvanin Trevi në Romë, një masë që pritet të gjenerojë 6.5 milionë euro në vit për qytetin, njoftoi sot kryetari i bashkisë së kryeqytetit italian, Roberto Gualtieri.

Vetëm banorët e kryeqytetit do të vazhdojnë të kenë akses falas në monument, i cili tërheq turma të mëdha njerëzish çdo ditë. Vizitat në distancë në monument do të mbeten falas, dhe qasja nga afër do të rezervohet ekskluzivisht për mbajtësit e biletave, theksoi kryetari i bashkisë në një konferencë për shtyp.

“Nga 1 shkurti, po prezantojmë një biletë të vlefshme për gjashtë pika” në kryeqytetin italian, përfshirë Shatërvanin Trevi, tha Gualtieri.

Hyrja në pesë pikat e tjera do të kushtojë pesë euro.

Kjo kryevepër baroke, e ndërtuar në fasadën e një ndërtese, është një nga atraksionet më të njohura të Romës, e bërë e famshme nga filmi “La Dolce Vita” i Federico Fellinit, në të cilin Anita Ekberg fton Marcello Mastroianni-n ta ndjekë atë në pellgun e shatërvanit.

Shatërvani Trevi kryeson listën e destinacioneve të preferuara për shumë vizitorë në Qytetin e Përjetshëm.

Të bësh një dëshirë dhe të hedhësh një monedhë në ujë është një traditë kaq e thellë sa autoritetet mbledhin mijëra euro çdo javë, të cilat më pas dhurohen për bamirësinë Caritas.

  • Midis 1 janarit dhe 8 dhjetorit, afërsisht nëntë milionë turistë vizituan vendin direkt përpara shatërvanit, mesatarisht 30,000 njerëz në ditë, tha Gualtieri.

Këshilli i qytetit kishte njoftuar tashmë qëllimin e tij për të rregulluar aksesin në shatërvan për shkak të mbipopullimit në monument, i cili është gjithashtu një objektiv për hajdutët e xhepave.

Sipas kryetarit të bashkisë, këshilli i qytetit vlerëson se tarifa e hyrjes në Shatërvanin e Trevit mund të gjenerojë 6.5 milionë euro në vit.

Kjo nuk është hera e parë që autoritetet italiane kanë futur bileta për monumentet. Në vitin 2023, u fut një tarifë hyrjeje për Panteonin, një kishë e vendosur në një ish-tempull romak, dhe Venecia futi një tarifë hyrjeje turistike vitin e kaluar gjatë periudhave të pikut.

Përshtati në Shqip S