Prej orës 10:30 të mëngjesit, Këshilli i Imunitetit shqyrtoi kërkesën e SPAK për imunitetin e deputetes Belinda Balluku, zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.
Mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura në prani të drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Braho dhe 2 prokurorëve që po hetojnë numrin 2 të qeverisë Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Pas 5 orësh, palët dolën me vendimin që mbledhja të shtyhej, por pa afat.
Kreu i grupit parlamentar të PD dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Mandateve, Gazment Bardhi tha pas përfundimit të mbledhjes, se mbyllja në kasafortë e USB-së me prova nga SPAK, ishte për t’i dhënë asaj mundësinë për të kërkuar shtyrje të mbledhjes me qëllim për tu njohur me provat.
Bardhi tha se në mbledhje anëtarët e PS kërkuan 20 minuta pushim për të ckatuar datën e mbledhjes së ardhshme dhe se në përfundim vendosën që dta do të shpallet në një moment të dytë.
“Dua të sqaroj qëndrimin e anëtarëve të opozitës. Nëse do të ishte respektuar qëndrimi ynë, ju do të ishit në dijeni njësoj si për këtë mbledhje, ashtu edhe për atë se kur është caktuar mbledhja tjetër. Kemi kërkuar, sipas rregullores, që mbledhja e sotme të ishte transparente dhe e hapur, sigurisht duke lënë të mundur opsionin që sa herë që prokuroria do të çmonte se duhet të informonte anëtarët e Këshillit për një çështje që cilësohet sekret hetimor, media të largohej. Kjo kërkesë nuk u mor në konsideratë.
Sot nuk kemi diskutuar asnjë çështje që përbën sekret hetimor. Jemi marrë vetëm me procedurë. Kemi diskutuar nëse deputetët kanë apo jo të drejtë të kenë të plotë materialin e sjellë nga SPAK-u. Sipas ligjit, secili anëtar duhet ta ketë të plotë USB-në e famshme që Peleshi e kishte kyçur në kasafortë.
Dhe sot u zbulua edhe skenari pse e kishte kyçur. Kjo ishte bërë për t’i dhënë alibinë Ballukut, për të kërkuar shtyrjen e mbledhjes, me pretendimin se nuk ishte e përgatitur, dhe kështu të shtyhej mbledhja.
U bënë aq qesharakë, sa kërkuan që mbledhja e radhës të jetë pas një muaji. Prokurorët e Posaçëm, të cilët dua t’i falënderoj për profesionalizmin, bënë të qartë se kjo është një çështje e ngushtë dhe çdo vonesë mund të rrezikojë provat”, tha ndër të tjera Bardhi.
