Skip to content

Prishet karburanti pa leje, nuk ndalet puna për lirimin e hapësirave publike


Pikat e shitjes së karburanteve të ndërtuara pa leje pranë qendrave të banuara përveç uzurpimit të hapësirave publike përbëjnë kërcënim edhe për jetën e banorëve.

Në fokus të nismës së ndërmarrë nga qeveria për lirimin e hapësirave publike kanë qenë po ashtu edhe pikat e karburanteve dhe lavazhot e makinave të ndërtuara në shkelje të ligjit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga aksioni për prishjen e një karburanti pa leje, ndërsa theksoi se puna për lirimin e hapësirave publike vijon në çdo ditë të javës.

Sipas ligjit, pikat e karburanteve duhet të marrin një licencë të posaçme që lëshohet nga autoritetet vendore dhe certifikon plotësimin e kushteve teknike për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

Subjekti i interesuar duhet të paraqesë ekstraktin historik dhe tregtar të regjistrit tregtar, nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, ku të ketë të përcaktuar veprimtarinë e tregtimit të nënprodukteve të naftës bruto.

Po ashtu, nga subjekti kërkohet certifikata e përdorimit të objektit të lëshuar nga institucionet përkatëse, si dhe vërtetimi për kontrollin e objektit, për respektimin e kushteve teknike.