Skip to content

“Presim të vijojmë bashkëpunimin”/ Delegacioni i BE uron kreun e ri të SPAK: Suksese në këtë rol të rëndësishëm për vendin

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë uron Klodian Brahon për marrjen e detyrës si kreu i ri i SPAK.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, zyra e BE vlerëson SPAK për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike ndërsa përgëzon edhe paraardhësin e Brahos, Altin Dumanin, për punën e kryer gjatë tre viteve të fundit.

Në fund, nuk mungon edhe mbështetja për Strukturën e Posaçme duke uruar në vazhdimin e bashkëpunimit.

“Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian”.

Reagimi i plotë:

Delegacioni i BE-së në Shqipëri uron Klodian Brahon për marrjen sot të detyrës si Kreu i SPAK-ut dhe i dëshiron suksese në këtë rol të rëndësishëm për vendin.

Njëkohësisht, vlerësojmë SPAK-un për qëndrueshmërinë përballë presioneve politike, si edhe për vendosmërinë dhe integritetin e treguar nga Kryeprokurori i mëparshëm, Altin Dumani. Nën drejtimin e tij, SPAK shënoi hapa përpara në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe kontribuoi në forcimin e besimit të publikut te drejtësia.

Lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si edhe respektimi i shtetit të së drejtës, janë përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve kyçe dhe një element thelbësor i rrugës së Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE—rrugë e mbështetur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve që të ushtrojnë plotësisht rolin e tyre, të përmbushin përgjegjësitë dhe të bashkëpunojnë pa rezervë për të garantuar llogaridhënie, në dobi të të gjithë qytetarëve.

Presim të vijojmë bashkëpunimin me SPAK-un, teksa e mbështesim Shqipërinë në çdo hap në rrugën drejt Bashkimit Evropian.