Deputeti i PD-së Klevis Balliu duke folur për mediat nga Komisariati numër 1 në Tiranë, ka deklaruar se, janë shoqëruar 10 protestues mes të cilëve dhe të mitur.

Balliu u shpreh se, ata janë qëlluar dhe me grushte nga policët.

Janë 10 të shoqëruar, një nga të cilit ishte i mitur dhe është goditur me grusht. Jam i sigurt një nga ato kalecat e Ergys Agasit, të cilët janë të infiltruar në çdo cep të policisë së shtetit.

Sot praktikisht kemi një polici tërësisht të inkriminuar që arreston protestuesit sepse po protestojnë kundrejt një qeverie që është kapur në flagrancë duke vjedhur dhe duke cenuar sigurinë e jetës së çdo qytetari shqiptar.

Pasi vetë AKSHI si institucion është një segment në mbrojtje të sigurisë kombëtare dhe ju e patë fare mirë edhe nga vetë regjistrimet e Ergys Agasit se si ai institucion ishte lënë në dorë të krimit të organizuar. Pra kemi një qeveri që merr peng me segmentet e policisë së shtetit biznesmenët, edhe vetë punonjësit e administratës, dhe kur qytetarët çohen në protestë kundër këtij krimi monstruoz të një shteti të kapur nga Suel Çela, Tropinët e Xhafët dhe gjithë kartelet e tjera të drogës të cilat sot kontrollojnë Shqipërinë, këta merren të arrestojnë qytetarët, madje nuk kursejnë as të miturit, që është një, dhe patjetër ne do të bëjmë një kallëzim, nuk mundet të arrestohen të miturit thjesht që këta të plotësojnë normën dhe kjo ka një arsye pse bëhet, sepse kërkojnë t’i vendosin frikë qytetarëve shqiptarë që mos të revoltohen ndaj këtyre.

Po unë i garantoj këtë polici shteti, këtë rajon dhe çdo rajon tjetër, përfshi këtu dhe Edi Ramën, që në protestën e ardhshme, nëse këta nuk zënë vend, nuk zënë mend, që do të thotë që Edi Rama të japë dorëheqjen, patjetër që aksioni jonë do të përshkallëzohet shumëfish, shumë herë sesa ishte sot dhe çdo herë tjetër.

Pra në këtë kontekst, deputetët e Partisë Demokratike që jam sot këtu janë në mbështetje të qytetarëve. Kemi edhe avokatët e Partisë Demokratike, të cilët do të kujdesen për këta protestues, por që të jemi të qartë, nuk kanë bërë absolutisht asgjë”, tha Balliu për mediat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re