Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij para protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, u shpreh se, sot opozitarët janë më të fortë se kurrë.
“Ne sot mblidhemi në një moment kritik, ndoshta si asnjëherë më parë. Ja ku jemi sot, më të fortë për të përmbysur këtë regjim. Rrallë herë ka ndodhur që qeveritarët të bëhen miliarderë e qytetarët të varfërohen“, tha në nisje të fjalës së tij Berisha.
“Edi Rama, hidhi sytë këtij bulevardi, nga sonte ti kurrë nuk do njihesh më në Shqipëri as në botë si kryeministër, por si kapobandë, si kapobandë, si kapobandë“, vijoi më tej Berisha.
Sipas tij, vetëm mobilizimi dhe vendosmëria e qytetarëve opozitarë mund t’i japin fund asaj që ai e cilëson si një regjim i kapur nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin, duke e shndërruar përballjen politike në një betejë të hapur mes qeverisë dhe popullit.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Të dashur qytetarë dhe qytetare të Tiranës, demokrate e demokratë, shqiptare e shqiptarë kudo që jeni sonte, në Shqipëri dhe jashtë vendit.
Të nderuar deputetë, të nderuar aleatë të PD.
Përshëndetjet më miqësore, nderimin më të madh ju burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që u ngritët sonte si uragan i shpresës, i besimit, i shpëtimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Të dashur miq, u flas sot në një nga momentet më kritike të kombit, jo vetëm në 35 vitet e fundit, por ndoshta gjatë gjithë historisë së tij mijëravjeçare.
Në 10 vitet e fundit të këtij regjimi, shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi, nga çdo pushtim, nga çdo zi buke dhe çdo gjë tjetër.
Shqiptarët, në 10 vite të këtij regjimi, kanë shkuar mbrapa 100 vite për lindshmërinë e tyre.
Sot ata kanë humbur mbi gjysmën e rinisë së tyre.
Kanë humbur të ardhmen dhe çdo vit bëhen gjithnjë e më pak në këtë dhe të bekuar.
Ne mblidhemi në një moment kritik, ndoshta si kurrë më parë, sepse Edi Rama, pasi i shndërroi zgjedhjet në farsë elektorale, del se ka vendosur të bëhet multi-miliarder me paratë tuaja, me pasuritë tuaja publike.
Dhe jo vetëm kaq, por ai ka vendosur veten mbi ligjin, mbi Kushtetutën.
Ka vendosur veten mbi çdo pushtet, dhe na thotë nga Surreli, apo kjo ndërtesë e krimit, se unë u shumëzoj me zero.
Se unë jam mbi ligjin, mbi Kushtetutën.
Edi Rama, hidhi sytë këtij bulevardi, nga sonte ti kurrë nuk do njihesh më në Shqipëri as në botë si kryeministër, por si kapobandë, si kapobandë, si kapobandë.
