Kryeministri Edi Rama mikpriti në mjediset e Kryeministrisë maturantët ekselentë nga i gjithë vendi, të cilët kanë shkëlqyer me rezultatet e tyre në mësime, duke merituar Medaljen e Artë të dorëzuar nga vetë Kryeministri së bashku me certifikatën shoqëruese.

Në ceremoninë, e cila është kthyer në një traditë vjetore të vlerësimit të ekselencës akademike, ishte edhe Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, e cila ndau me të rinjtë mesazhe frymëzuese nga vepra “Letër bijës time” e shkrimtares Maya Angelou, teksa theksoi se suksesi është rezultat i përpjekjes së vazhdueshme dhe i zgjedhjes për të ndjekur rrugën e dijes.

Ndërsa, Kryeministri Rama nënvizoi se numri i medaljeve të arta këtë vit është më i larti që nga krijimi i këtij eventi, një tregues i qartë i rritjes së performancës akademike, i cili përkon edhe me rritjen e numrit të studentëve shqiptarë që pranohen në universitete prestigjioze ndërkombëtare.

Kryeministri uroi të rinjtë për rrugëtimin e tyre të ardhshëm, duke i inkurajuar të ndjekin ëndrrat me guxim dhe këmbëngulje, si dhe të mos harrojnë asnjëherë rrënjët e tyre dhe kontributin që, në të ardhmen, mund t’i japin Shqipërisë.

Së pari mirë se keni ardhur këtu në Kryeministri. E them çdo herë në përsëritjen e kësaj ceremonie tanimë tradicionale, që ky është momenti kur kjo sallë  ka brenda më shumë tru sesa asnjëherë tjetër. Është një ceremoni tradicionale që është dhe momenti më i bukur i fundvitit për mua këtu në këtë zyrë, sepse besoj që nuk ka privilegj më të madh sesa të kesh detyrën të vlerësosh mundin, përpjekjen dhe rezultatet e njerëzve si ju. Sot, ju keni plotësisht të qartë se çfarë përfaqëson suksesi juaj.  

Me siguri keni të qartë pjesën që ka të bëjë me prindërit. Keni të qartë pjesën që ka të bëjë me vëllezërit, me motrat, me gjyshen, gjyshin, të cilët pa diskutim, rezultati juaj i bën shumë të lumtur, por nuk besoj se keni plotësisht të qartë atë që ky rezultat dhe ky sukses do të thotë për shoqërinë tonë, do të thotë për të gjithë brezin tuaj dhe s’ma ha mendja se juve e mendoni se çfarë do të thotë për mua personalisht. Unë besoj që për ne të gjithë si njerëz, pavarësisht moshës, pavarësisht statusit, pavarësisht vendndodhjes, shembujt janë shumë të rëndësishëm.

Shembujt janë shumë të rëndësishëm për të na nxitur që të vazhdojmë më tutje. Dhe shembujt na nxisin në forma të ndryshme dhe nga drejtime të ndryshme. Shembulli i një fqinji që mbjell lule dhe bën që oborri i tij të duket bukur, na nxit që edhe ne të mbjellim lule, që të bëjmë të bukur oborrin tonë dhe kështu me radhë. Dhe besoj që shembujt na ndikojnë dhe i kemi shumë të nevojshëm“, tha ndër të tjera Rama.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re