Skip to content

Investime të reja në QSUT, Rama: Të ndjehesh sikur shkon në një vend për tu rigjeneruar, jo sikur shkon në pazar

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ku po zhvillohen paralelisht disa kantiere të rëndësishme, të cilat synojnë modernizimin e infrastrukturës spitalore, rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët, mjekët dhe studentët e mjekësisë.

Ndër projektet kryesore janë ndërtimi nga e para i Pediatrisë Infektive, rikonstruksioni i disa shërbimeve spitalore, si dhe ndërtimi i parkingut të ri multifunksional me kapacitet rreth 1 400 vende parkimi, i shoqëruar me hapësira për konferenca, trajnime dhe shërbime mbështetëse.

Kryeministri Rama vlerësoi projektin si një lehtësim të madh për funksionimin e QSUT-së, duke theksuar se modeli i partneritetit publik-publik mes QSUT-së dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit siguron ,jo vetëm zgjidhje funksionale dhe urbane, por edhe gjenerim të ardhurash në funksion të vetë institucionit shëndetësor. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e hartimit paralel të projektit të parkut, me synimin për ta kthyer QSUT-në në një hapësirë të gjelbëruar, të qetë dhe miqësore, ku qarkullimi i automjeteve do të jetë i kufizuar vetëm për nevojat emergjente dhe shërbimet e domosdoshme.

“Ky është shpëtim i madh shumë. Faktikisht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka tashmë gjithë eksperiencën ka dhe bilancin shumë pozitiv me këto struktura parkimesh, sepse janë edhe fitimprurëse në funksion të institucionit dhe në funksion të fondit si investitor, natyrisht bëhet një ndarje midis atyre që janë punonjësit dhe që kanë një trajtim të veçantë, të atyre që vijnë pastaj nga jashtë që e përdorin dhe ndërkohë ka dhe një akses nga jashtë spitalit, po që bëhet një parkim edhe për zonën. Në një pjesë të caktuar të strukturës, akomodohen makina të zonës, të cilat paguajnë edhe bëhet gjenerator të ardhurash. Duhet bërë paralelisht projekti i parkut, se kjo ka qenë ideja që ta transformojmë gjithë QSUT-në në një park. Park me godina spitalore, kuptohet. Gjithë këto pjesë që janë këtu, nga shumë vite, të rikualifikohen, të rishikohen me këtë sy edhe vetë gjithë sistemi i rrugëve të rishikohet në syrin që s’ka më makina që hyjnë e dalin. Janë vetëm ambulanca, janë korsitë e dedikuara, pastaj një pjesë mund të jetë në kalldrëm për këmbësorët. Të bëhet diçka që realisht të ndjehesh sikur shkon në një vend për tu rigjeneruar, jo sikur shkon në pazar”, u shpreh ndër të tjera Rama.