
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) njofton se gjatë kontrolleve të ushtruara së fundmi nga Drejtoria Rajonale Tiranë, janë konstatuar shkelje ligjore në një subjekt ushqimor.
Inspektorët kanë bllokuar 5 ton djathë “Gouda” dhe 944 kg fileto pule për mungesë të kundraetiketës në gjuhën shqipe.
Subjekti mori gjobë dhe produktet mbeten të bllokuara deri në rregullimin e dokumentacionit dhe etiketimit.


“AKU garanton opinionin publik se do të vijojë kontrollet rigoroze në të gjithë zinxhirin ushqimor për të garantuar zbatimin e ligjit dhe informimin e saktë të konsumatorëve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të tyre”, thuhet në faqen zyrtare.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është kritikuar shpesh edhe nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Fatjon Pasholli dha dorëheqjen pas vetëm 4 muajsh në postin e drejtuesit të AKU. Vendin e tij e zuri Alketa Hoxha.
Viti 2025 numëron problematika në këtë fushë që në nisje, që me mandarinat me pesticide, tonelatat e mishit me salmonelë nga Brazili, luleshtrydhet greke apo specat dhe qumështin.
