Skip to content

Politika uron Krishtlindjen

Urime me rastin e festës së Krishtlindjes ka patur edhe nga radhët e politikës.

Presidenti Bajram Begaj, nëpërmjet një postimi në X, uroi që kjo festë të sjellë shpresë e begati për të gjithë besimtarët e krishterë.

Le të jetë kjo Krishtlindje burim paqeje dhe gëzimi, si dhe një mundësi për të kaluar çaste të lumtura me njerëzit tuaj më të dashur”, shkroi ai.

Edhe Kryeministri Edi Rama uroi të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes.

Ai postoi në rrjetet sociale një imazh të shkëputur nga frontespici i veprës së Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”.

Dhe me këtë imazh të shkëputur nga frontespici i veprës monumentale të Pjetër Bogdanit, “Çeta e Profetëve”, ju uroj Gëzuar Krishtlindjen”, shkruan Rama.

Nuk ka munguar urimi as nga lideri i Opozitës, Sali Berisha.

Gëzuar Krishtlindjet!

Të dashur miq, sonte është nata e lindjes së Hyjit, Krishtit Mbret, nata më magjepse për të gjithë besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe mbarë botën. Prandaj le të urojmë ne së bashku përzemërsisht miqtë tanë të krishterë kudo që janë: Gëzuar Krishtlindjet, magjia e kësaj nate le të shndërrohet në mirësi, gëzime, shpresë, besim e forcë për çdo njerin prej jush, për të gjithë besimtarët e Zotit, për mbarë shqiptarët. Krishti Mbret ju bekoftë! Gëzuar“, shkruan Berisha.

Krishtlindja, festa që shënon lindjen e Jezusit, mbetet një nga ngjarjet më të mëdha të krishtërimit, duke kujtuar zbritjen e Perëndisë në tokë për shpëtimin e njerëzimit dhe duke sjellë dritë e shpresë në çdo familje.