Vlen të përmendet se Kim shoqërohej nga vajza e tij, që besohet të jetë Kim Joo-ae, e cila ka bërë disa paraqitje publike kohët e fundit, duke nxitur spekulime se ajo po përgatitet të bëhet një trashëgimtare e ardhshme.
Ndërtimi i një nëndetëseje me energji bërthamore ka qenë një qëllim i hershëm për Kim, i cili e diskutoi për herë të parë në një kongres të partisë në pushtet në vitin 2021. Megjithatë, fakti që rivalia e tij, Koreja e Jugut, kohët e fundit mori miratimin nga administrata Trump për të ecur përpara me ndërtimin e nëndetëseve me energji bërthamore duket se i ka shtuar urgjencë planeve të tij, raporton CNN.

Anije të tilla ofrojnë përparësi të shumta. Ato mund të qëndrojnë të zhytura për periudha të gjata kohore – në fakt, vite, nëse mund të mbajnë furnizime të mjaftueshme për ekuipazhin – ndërsa shumica e nëndetëseve me energji konvencionale duhet të dalin në sipërfaqe për të vënë në punë motorët e tyre me naftë, të cilët nga ana tjetër rimbushin bateritë e tyre për operacione në det të thellë.

Ato janë gjithashtu përgjithësisht më të shpejta se nëndetëset me energji konvencionale dhe, në shumë raste, më të qeta. Aktualisht, vetëm Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe India e kanë këtë teknologji.
Imazhet tregojnë se është bërë përparim i konsiderueshëm në nëndetëse, ekzistenca e së cilës u njoftua për herë të parë në mars.
Mesazhi i Putinit
Deklarata u botua së bashku me zbulimin se presidenti rus i kishte dërguar një mesazh Kim-it duke iu referuar qartë përpjekjeve “heroike” të ushtarëve të Koresë së Veriut në rajonin rus të Kurskut, të cilat “demonstruan qartë miqësinë e pathyeshme” midis Moskës dhe Phenianit, sipas Agjencisë Qendrore Koreane të Lajmeve (KCNA).
Puna e tyre demonstroi “vëllazërinë luftarake” të kombeve, deklaroi gjithashtu presidenti rus në mesazhin e marrë nga Pheniani javën e kaluar.
Agjencitë e inteligjencës së Koresë së Jugut dhe Perëndimit vlerësojnë se Pheniani ka dërguar mijëra ushtarë në frontin e Ukrainës, kryesisht në Kursk, së bashku me predha artilerie, raketa dhe sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi.
Sipas vlerësimeve të Koresë së Jugut, afërsisht 2,000 ushtarë të Koresë së Veriut u vranë dhe mijëra u plagosën.
Korea e Veriut pranoi këtë muaj se trupat e saj në Kursk kishin marrë përsipër detyrën e pastrimit të minave dhe se disa kishin vdekur gjatë vendosjes së tyre.