Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Levan- Tepelenë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Cakranit”.

Dy automjete njëra tip “Benz” dhe tjetra “Peugeot” janë përplasur me njëra – tjetrën dhe për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i njërit prej mjeteve 16- vjeçari me iniciale O.M.

Makina e viktimës është përplasur me mjetin me drejtues S. B., 30 vjeç.

Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije se mjeti që drejtohej nga i mituri i ka prerë rrugën automjetit tip “Benz” i cili po udhëtonte nga Poçemi në drejtim të Levanit, teksa 16- vjeçari po dilte në autostradë nga Cakrani.

Njoftim i policisë:

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 19:00, në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, në fshatin Cakran, automjeti me drejtues shtetasin S. B., 30 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin e mitur O. M, rreth 16 vjeç.

Si pasojë e përplasjes shtetasi O. M, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re