
Serbia po përgatitet për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak pas më shumë se një dekade, me qëllim forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Forcave të Armatosura.
Shërbimit të detyrueshëm ushtarak do t’i nënshtrohen burrat e moshës 18 deri në 30 vjeç, ndërsa ky shërbim do të mbetet vullnetar për gratë.
Ministri i Mbrojtjes, Bratislav Gashiç, ka deklaruar se afati stërvitor për rekrutët do të jetë 75 ditë.
“Është bërë gjithçka e nevojshme që ne të mund të kthejmë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kemi bërë analiza dhe teste të panumërta, duke filluar me kohën optimale që këta të rinj të marrin trajnim bazë ushtarak”.
Gashiç theksoi se ata që do ta kryejnë këtë shërbim do të paguhen.
“Sigurisht që do të jetë ndryshe nga më parë, pasi ata do të marrin një pagë duke shërbyer në ushtrinë serbe. Është planifikuar që 60 ditët e para ata do të flenë në kazermë dhe 15 ditë do të jenë në pozicione kampi në strukturën e stërvitjes. Nga viti 2000 deri në vitin 2012, Ushtria Serbe u reduktua në nivelin e mbrojtjes civile, me vetëm 3,500 burra, pa aviacion dhe me depo bosh”.
Ministri serb i mbrojtjes kujtoi se që nga viti 2012 janë bërë përpjekje të konsiderueshme për të rindërtuar infrastrukturën dhe pajisjet, gjë që është thelbësore për sigurinë e Forcave të Armatosura Serbe.


