Dy golat e shënuar në “San Siro” kundër Veronës mund të përfaqësojnë pikën e kthesës për Christopher Nkunku-n.
Sulmuesi francez kërkon të marrë mbi supe Milanin dhe të ndryshojë rrjedhën e një sezoni që ka nisur në mënyrë zhgënjyese.
Megjithatë, e ardhmja e tij duket se nuk varet vetëm nga paraqitjet në fushë, por edhe nga zhvillimet në tregun e transferimeve.
Ish-lojtari i Chelsea-t vazhdon të konsiderohet një sulmues i klasit botëror, me një profil që tërheq vëmendjen e klubeve të mëdha europiane.
Interesimi i fundit nga Juventusi nuk shihet si rastësi, ndërsa në sfond qëndrojnë edhe oferta të rëndësishme financiare nga klubet arabe. Megjithatë, Nkunku nuk duket i tunduar nga një transferim jashtë Europës, duke preferuar të vazhdojë karrierën në nivele të larta konkurruese.
Në këtë kontekst, Fenerbahçe shfaqet si një alternativë reale. Klubi turk ka intensifikuar kontaktet me Milanin ditët e fundit, i nxitur edhe nga prania në stol e Domenico Tedescos.
Trajneri italian, me shtetësi gjermane, i cili mori drejtimin e ekipit në shtator 2025 pas largimit të José Mourinhos, e njeh mirë Nkunku-n nga koha e tij te Leipzig. Klubet kanë pasur kontakte të drejtpërdrejta në ditët e fundit, teksa kuqezinjtë synojnë të shesin Nkunku-n pa pësuar humbje krahasuar me investimin prej 38 milionë eurosh të bërë verën e kaluar.
Fenerbahçe ka shprehur gatishmërinë për të ofruar deri në 35 milionë euro, një shifër e konsiderueshme që do t’i lejonte klubit të ngushtonte diferencën me rivalët e Galatasarayt, gjithashtu të interesuar për lojtarin e lindur në vitin 1997.
Pengesa kryesore mbetet formula e transferimit, pasi Milani nuk pranon huazim me opsion blerjeje, por kërkon vetëm një marrëveshje përfundimtare.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes dy klubeve lidhen edhe me një emër tjetër të rëndësishëm: Milan po ndjek me interes Milan Skriniar.
Drejtori sportiv kuqezi, Igli Tare ka eksploruar mundësinë e afrimit të mbrojtësit sllovak, një profil që vlerësohet edhe nga Massimiliano Allegri. Megjithatë, Fenerbahçe nuk është i gatshëm të diskutojë për një lojtar kyç, i cili ka kontratë deri në vitin 2029 dhe po kalon një sezon shumë pozitiv, me 2 gola në 16 paraqitje.
Në fund, gjithçka duket se varet nga vetë Nkunku. Sulmuesi dëshiron të ruajë shanset për t’u përfshirë në Kombëtaren e Francës për Kupën e Botës dhe, idealisht, ta bëjë këtë si lojtar i Milanit.
Por konkurrenca në repartin ofensiv kuqezi është e fortë, me emra si Leao, Pulisiç, Fullkrug dhe Gimenez që do të bashkohet në shkurt. Për këtë arsye, opsioni turk mbetet i ndërlikuar, por jo i pamundur.
