Skip to content

Vlorës nuk i ndahet ‘syri i keq’, gjysma e qytetit e pret Vitin e Ri pa ujë

IMG 3938

Ujësjellës Kanalizimet e Vlorës njoftuan në 30 dhjetor, se pas riparimit të defektit në tubacionin kryesor, i gjithë qyteti do të furnizohej me ujë brenda orës 17:00 të të njëjtës ditë…

Vlorës nuk i ndahet ‘syri i keq’, sipas një konstatimi që bëri Kryeministri Edi Rama, duke e përkufizuar kështu mungesën e ujit në banesat e qytetarëve për 5 ditë.

Ndonëse defekti i shkaktuar në tubacionin kryesor të Ujësjellësit arriti të riparohej, sërish gjysma e qytetit nuk ka arritur të furnizohet me ujë.

Dhe shkaku, sipas Ujësjellës Kanalizimeve të Vlorës, ishte vjedhja e saraçineskës, në stacionin e ujësjellësit në lagjen “24 Maji”, pranë Stacionit të Trenit të Mallrave në Vlorë.

Sipas njoftimit, vjedhja e saracineskës së stacionit, ka bërë të pamundur funksionimin normal të rrjetit të shpërndarjes duke lënë pa ujë lagjen “24 Maji”, zonën e Petroliferës, zonën e TEC-it, Portin e Peshkimit dhe Zvërnecin.

Autoritetet bëjnë thirrje që të mbrohet prona publike, duke theksuar se dëmtimi i infrastrukturës së ujësjellësit sjell pasoja direkte për furnizimin e komunitetit me ujë.
Ky defekt i ri në rrjetin e ujësjellësit pason atë që la për 5 ditë pa ujë qytetin, situatë që shkaktoi revoltën e banorëve, që protestuan jo vetëm në sheshin para Bashkisë së Vlorës, por hynë dhunshëm edhe në mjediset e Teatrit “Petro Marko” atje ku autoritetet vendore kishin vendosur të organizonin një mbrëmje gala.

Ujësjellës Kanalizimet e Vlorës njoftuan në 30 dhjetor, se pas riparimit të defektit në tubacionin kryesor, i gjithë qyteti do të furnizohej me ujë brenda orës 17:00 të të njëjtës ditë. Por në mbrëmjen e së martës, në rrjetet sociale denoncohej se zona të shumta në qytetin e Vlorës nuk kishin ujë, madje akuzoheshin drejtuesit lokalë për mashtrimin e rradhës.

Ndërkohë pasditen e 31 dhjetorit, Ujësjellës Kanalizimet e Vlorës njoftuan për defektin e ri, disa orë përpara natës së ndërrimit të viteve.

Dhe duket se vlonjatët në këtë natë, duhet të luten që ‘babagjyshi’ ti sigurojë një furnizim normal me ujë në banesat e tyre.

Njoftimi i plotë:

“Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton se gjatë mesnatës së kaluar është grabitur saracineska e stacionit të ujësjellësit në lagjen “24 Maji”, zona pranë Stacionit të Trenit të Mallrave. Si pasojë, ka pasur ndërprerje të furnizimit me ujë në zonat që furnizohen nga ky stacion:

Lagja 24 Maji (zona e Stacionit të Trenit të Mallrave)

Petrolifera

TECI

Porti i Peshkimit

Zvërnec

Grupet tona kanë ndërhyrë menjëherë pas konstatimit të rastit për zëvendësimin e saracineskës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë. Për këtë ngjarje është bërë denoncim pranë Policisë së Qarkut Vlorë.

U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mbrojnë pronën publike dhe të mos e dëmtojnë atë, pasi këto veprime dëmtojnë gjithë komunitetin.
Faleminderit për mirëkuptimin!”