Në dhomën e tij të gjumit në Essex, një 15-vjeçar pati një ide sa të thjeshtë aq edhe efektive: peshqirë që ofrojnë një ndjesi të menjëhershme freskie. Nga ky mjedis modest, Harrison Nott filloi dhe, vetëm në një vit, arriti të ngrinte një biznes pa zyra dhe staf, me një xhiro vjetore të vlerësuar në afërsisht 100,000 paund, ose rreth 117,000 euro. Historia e tij u vu në dukje nga Essex Live, por interesi nuk kufizohet vetëm në shifra.
Nott jeton në Maldon, në Anglinë lindore, dhe qëndron pas CoolTowel, një kompani e themeluar në vitin 2023 që tashmë ka dërguar më shumë se 15,000 porosi. Produkti i tij nuk mbështetet në teknologji komplekse: është një peshqir poliesteri me tre shtresa që, pasi laget, shtrydhet dhe tundet, ofron freski të menjëhershme. Ai është i destinuar për atletët, ata që stërviten në palestra dhe njerëzit që kalojnë verën pa ajër të kondicionuar. “Bazuar në llogaritjet e mia, këtë verë do të kalojmë 100,000 paund në xhiro. E kam parashikuar tashmë”, thotë ai me një besim që shumë sipërmarrës me përvojë do ta kishin zili.
Megjithatë, nuk ishte sipërmarrja e tij e parë në biznes: që nga mosha 8 vjeç ai u përfshi në shitje në eBay, duke fituar disa përvoja të mira, por edhe dështime. “Këto dështime më dhanë shtysat për të filluar diçka të re”, vëren ai sot.
Me sa duket, embrioni sipërmarrës rrjedh në familje. “U rrita duke parë babanë tim të drejtonte biznesin e tij. Gjithmonë kam dashur të kem një të tillë, për pavarësi financiare dhe për të punuar sipas kushteve të mia”, shpjegon ai. Në të njëjtën kohë, ai vazhdon studimet e tij në sistemin arsimor britanik.
Rritja e CoolTowel ka qenë shpërthyese, kryesisht falë TikTok dhe platformës Shopify. “Arrita të bëja 50 shitje në ditë dhe që atëherë ishte vetëm lart”, thotë ai. “Shpërthimi” ndodhi në verë, kur shitjet arritën në 15,000 paund në një ditë, duke i shterur stoqet për javë të tëra. Gjatë periudhave të kërkesës në rritje, ai përdori hapësirën e magazinimit të babait të tij, ndërsa pjesën tjetër të vitit biznesi operon tërësisht nga dhoma e tij e gjumit.
Avantazhi, siç shpjegon ai, nuk është vetëm produkti, por edhe narrativa rreth tij. “Unë xhiroj video ndërsa përgatis porositë dhe i ngarkoj ato në TikTok. Njerëzit e vlerësojnë të shohin vetë pronarin të përfshirë personalisht”, thotë ai. Nott nuk kufizohet vetëm në suksesin komercial. Ai u ka siguruar peshqirë njerëzve me probleme shëndetësore që e bëjnë të vështirë rregullimin e temperaturës së tyre, ka mbështetur aktivitete sportive në shkollën e tij dhe ka folur me studentët. “Dua t’i ndihmoj të tjerët të realizojnë potencialin e tyre, qoftë për të filluar një biznes apo për të mësuar një aftësi”, thotë ai.
Faza tjetër janë investitorët dhe dyqanet fizike. “Dua të shoh se sa larg mund të shkojë. Ndoshta do të shfaqem në Dragon’s Den dhe do të shoh produktet e mia në dyqane”, thotë ai pa hezitim.
bështetja e babait të tij ishte gjithashtu thelbësore. Në vitin 2024, kur ai kishte nevojë për likuiditet, Matthew Nott e ndihmoi financiarisht. “Më kujton veten time kur isha i ri,” thotë ai, duke treguar diçka më të konsiderueshme sesa numrat: “Kur diçka nuk funksionon, ai nuk thotë thjesht ‘U përpoqa’. Ai e analizon atë për të kuptuar se çfarë shkoi keq.”
Mjedisi shkollor gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm. Mësuesi i sipërmarrjes e inkurajoi atë të regjistronte markën dhe të krijonte kompaninë si SH.P.K. para se të mbaronte viti shkollor. Hapa që janë të dukshëm për një profesionist, por të rrallë për një pesëmbëdhjetëvjeçar.
Pavarësisht suksesit, ai mban një profil të ulët. Ai na kujton se xhiroja nuk është e njëjta gjë me fitimin. Edhe pse biznesi sjell rreth 1,000 paund në ditë, fitimet neto janë të kufizuara nga shpenzimet e reklamimit, komisionet dhe kostot operative që shpesh nënvlerësohen. Megjithatë, ai mbetet optimist: “Tani kam një strategji dhe një vizion të qartë.”
Nga një dhomë, me një celular dhe një peshqir të lagur…Ndonjëherë, biznesi nuk ka nevojë për asgjë më shumë! /tesheshi.com/



