
Një aksident i rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 1 janarit në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, ku humbën jetën disa të rinj, mes tyre edhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç.
Ruçi ishte djali i shefit të policisë, Rami Ruçi, dhe nip i ish-kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Aksidenti ndodhi pas përplasjes së dy mjeteve: një Volkswagen ku udhëtonin Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç – të dy humbën jetën nga plagët e marra; dhe një Mercedes Benz ku udhëtonin Martin Dulaj, 25 vjeç, i cili gjithashtu humbi jetën në vendngjarje, si dhe Arsida Demiri, 19 vjeçe, e cila u transportua në Spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar.
Autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të këtij aksidenti tragjik që ktheu festën e Vitit të Ri në një ngjarje të rëndë.



