Presidenti i SHBA, Donald Trump njoftoi të mërkurën se administrata e tij po tërheq Gardën Kombëtare nga Chicago, Los Angeles dhe Portland, duke theksuar se forcat mund të rikthehen nëse, sipas tij, nivelet e krimit fillojnë të rriten sërish.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump theksoi se krimi ishte ulur ndjeshëm falë pranisë së trupave, por paralajmëroi se ata do të “kthehen, ndoshta në një formë shumë më të fortë”, në rast përkeqësimi të situatës.
Vendosja e Gardës Kombëtare në këto qytete, si dhe në Washington DC dhe Memphis, erdhi pasi Trump tha se ishte e nevojshme për të luftuar krimin dhe për të mbrojtur pronën dhe personelin federal gjatë protestave, veçanërisht atyre kundër politikave të tij të ashpra të imigracionit.
Megjithatë, udhëheqësit lokalë dhe demokratët e kanë kundërshtuar ashpër këtë veprim, duke e cilësuar të panevojshëm dhe si tejkalim të kompetencave federale, si dhe duke akuzuar administratën për ekzagjerim të incidenteve të izoluara të dhunës.
Më herët, më 23 dhjetor, Gjykata Supreme e SHBA-së bllokoi përpjekjen e Trump për të vendosur Gardën Kombëtare në Illinois, duke deklaruar se autoriteti i presidentit për të marrë kontroll federal mbi trupat zbatohet vetëm në rrethana “të jashtëzakonshme” dhe se qeveria nuk kishte identifikuar bazë ligjore që ushtria të zbatonte ligjet në atë shtet.



