
Fshati Zogaj, i ndodhur 3-4 km përtej Shirokës, buzë liqenit të Shkodrës, ofron një biodiversiteti të larmishëm dhe peizazhe piktoreske, duke e bërë këtë fshat një nga më të bukurit për t’u vizituar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga tufa zogjsh të cilët fluturojnë mbi liqenin e Shkodrës në fshatin Zogaj.
Zogaj është i njohur si një fshat i vjetër peshkimi dhe së bashku me Shirokën janë ndër zonat më të bukura të Shqipërisë së Veriut. Kjo zonë shquhet edhe për prodhimin e qilimave tradicionale, traditë e cila vijon të ruhet me fanatizëm nga gratë e zonës. Punimet me endje me kalimin e viteve janë kthyer në të preferuar nga turistët.
Zogaj është i njohur jo vetëm për peshkimin, bimët mjekësore, natyrën e virgjër dhe klimën alpine, por dhe për gatimet tradicionale. Këtu mund të gjeni tavën e famshme të krapit, gatimin tradicional të këtij peshku, të cilin banorët e ruajnë me pasion.
Kjo zonë të jep shumë mundësi argëtimi, sepse ka ujëra të pastër dhe një natyrë të paprekur.



