Venezuela u gdhi nën bomba amerikane në këtë nisje të 2026-ës, ku viti i ri nis kësisoj me një konflikt të ri në botë.

Qeveria e Maduros, në përplasje të ashpra muajt e fundit me presidentin Trump, tha se sulmet u kryen në Karakas, si dhe në Miranda, Aragua dhe La Guaira. Karakasi akuzon Uashingtonin për organizimin e sulmit në një përpjekje për të përvetësuar burimet e naftës dhe mineraleve të Venezuelës, duke premtuar se përpjekje të tilla “nuk do të kenë sukses”, raporton Reuters.

Sipas kanalit televiziv amerikan CBS, sulmet ndaj Venezuelës u urdhëruan nga vetë Trump.

“Presidenti i SHBA-së Donald Trump i dha ushtrisë amerikane dritën jeshile për të kryer sulme tokësore në Venezuelë disa ditë para vetë operacionit”, thanë dy zyrtarë amerikanë që folën për CBS News në kushte anonimiteti.

Zyrtarët ushtarakë e konsideruan mundësinë e kryerjes së misionit në Krishtlindje, por sulmet ajrore të SHBA-së ndaj objektivave të ISIS në Nigeri morën përparësi, pohojnë burimet.

Zyrtarët thanë se ushtria amerikane donte kushte moti që do të ishin të favorshme për “ekzekutimin me sukses të misionit”.

Pra sytë e botës janë tashmë dhe mbi Venezuelën.

 Reagimi me përbetim dhe mobilizim

Si reagim, qeveria Maduro tha në një deklaratë se “qëllimi i këtij sulmi nuk është gjë tjetër veçse përvetësimi i burimeve strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftës dhe mineraleve, në një përpjekje për të shtypur pavarësinë politike të kombit me forcë. Nuk do të ketë sukses. Pas më shumë se dyqind vjetësh pavarësi, populli dhe qeveria e tyre legjitime mbeten të përkushtuar fort për të mbrojtur sovranitetin e tyre dhe të drejtën e patjetërsueshme për të vendosur fatin e tyre. Përpjekja për të imponuar një luftë koloniale për të shkatërruar formën republikane të qeverisjes dhe për të detyruar një ‘ndryshim regjimi’, në aleancë me një oligarki fashiste, do të dështojë si të gjitha përpjekjet e mëparshme.

Që nga viti 1811, Venezuela është përballur dhe ka mundur perandori. Kur fuqitë e huaja bombarduan brigjet tona në vitin 1902, Presidenti Cipriano Castro deklaroi: ‘Çizmja e paturpshme e një të huaji ka përdhosur tokën e shenjtë të atdheut’. Sot, me forcën morale të Bolívarit, Mirandës dhe çlirimtarëve tanë, populli venezuelian po ngrihet përsëri për të mbrojtur pavarësinë e tij kundër agresionit imperialist.

Qeveria bolivariane u bën thirrje të gjitha forcave shoqërore dhe politike në vend të aktivizojnë planet e mobilizimit dhe të hedhin poshtë këtë sulm imperialist. Populli i Venezuelës dhe Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane, në një bashkim të përsosur të popullit, ushtrisë dhe policisë, janë vendosur për të garantuar sovranitetin dhe paqen. Në të njëjtën kohë, Diplomacia Bolivariane e Paqes do të paraqesë ankesat përkatëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Sekretarin e Përgjithshëm të asaj organizate, CELAC dhe Lëvizjen e të Paangazhuarve, duke kërkuar dënimin dhe llogaridhënien e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Nicolás Maduro ka urdhëruar zbatimin e të gjitha planeve të mbrojtjes kombëtare në kohën dhe rrethanat e duhura, në përputhje të plotë me dispozitat e Kushtetutës së Republikës Bolivariane të Venezuelës, Ligjit Organik të Gjendjeve të Jashtëzakonshme dhe Ligjit Organik të Mbrojtjes Kombëtare.

Në këtë drejtim, Presidenti Nicolás Maduro nënshkroi dhe urdhëroi zbatimin e një Dekreti që shpallte gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë territorin kombëtar me qëllim mbrojtjen e të drejtave të popullsisë, funksionimin e plotë të institucioneve republikane dhe kalimin e menjëhershëm në luftën e armatosur. I gjithë vendi duhet të aktivizohet për të mposhtur këtë agresion imperialist.

Ai gjithashtu urdhëroi vendosjen e menjëhershme të Komandës Gjithëpërfshirëse të Mbrojtjes së Kombit dhe organeve të Administratës Gjithëpërfshirëse të Mbrojtjes në të gjitha shtetet dhe komunat e vendit.

Në zbatim të rreptë të Nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Venezuela rezervon të drejtën për mbrojtje legjitime për të mbrojtur popullin, territorin dhe pavarësinë e saj. Ne u bëjmë thirrje popujve dhe qeverive të Amerikës Latine, Karaibeve dhe botës të mobilizohen në solidaritet aktiv kundër këtij agresioni imperialist.

Si Komandanti Suprem Hugo Chávez Frías: ‘Përballë çdo rrethane të vështirësive të reja, sado të mëdha, përgjigja e të gjithë patriotëve… është uniteti, lufta, betejë dhe fitore.’” përfundoi deklarata.

Ndërsa sipas Uashingtonit, Trump kërkon nga Venezuela bllokimin e trafikut të drogës. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re