Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) ka publikuar parashikimin më të fundit mbi rrezikun nga përmbytjet dhe kushtet hidrometeorologjike, duke paralajmëruar reshje intensive dhe situata potencialisht problematike në disa zona të vendit.
Sipas njoftimit zyrtar, sot pasdite dhe nesër priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe jug të Shqipërisë. Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër paraqiten si më të rrezikuarat, ku mund të shfaqen vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë si dhe rrëshqitje të dherave.
Në zonat urbane të këtyre qarqeve, përmbytjet e lokalizuara mbeten të mundshme, veçanërisht në rast të mbingarkesës së rrjeteve të kanalizimeve.
IGJEO thekson se për periudhën 4–8 janar 2026 priten reshje intensive të vazhdueshme, të cilat mund të sjellin rritje të ndjeshme dhe të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve ujore në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni i Shkodrës, Mat, Shkumbin dhe Vjosë.
Parashikimi meteorologjik parashikon reshje shumë intensive në qarkun Shkodër, reshje intensive deri lokalisht shumë intensive në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, ndërsa në Lezhë reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.
Në qarqet e tjera të vendit priten reshje me intensitet mesatar, të shoqëruara me shtrëngata.
Temperaturat për ditën e hënë pritet të luhaten nga 12 deri në 16°C në bregdet, 12–15°C në zonat e ulëta dhe 5–10°C në zonat malore. Era do të fryjë mesatare deri e fortë, kryesisht në bregdet dhe në veri të vendit.
Autoritetet u bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe qytetarëve të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare, të tregojnë kujdes të shtuar në zonat pranë lumenjve dhe përrenjve, si dhe të marrin masa parandaluese për minimizimin e pasojave të mundshme nga përmbytjet.
IGJEO bën të ditur se, përditësime të mëtejshme do të publikohen në varësi të zhvillimit të situatës.
