Një avion i “Air France”, që po fluturonte drejt Parisit, u detyrua të bëjë një ulje të paplanifikuar në Mynih dje në mbrëmje, pasi në bord u ndje një erë djegieje, bëri të ditur sot një zëdhënës i aeroportit.

”Askush nuk u lëndua”, tha zëdhënësi, duke shtuar se ”avioni arriti të lëvizë vetë drejt vendit të parkimit”.

Pasagjerët u dërguan në hotele .

Numri i saktë i tyre nuk ishte menjëherë i qartë, por zëdhënësi theksoi se në bord ndodheshin me siguri më shumë se 200 persona, duke pasur parasysh tipin e avionit.

Fluturimi ishte nisur nga Bejruti dhe ishte planifikuar fillimisht të ulej në aeroportin “Charles de Gaulle” në Paris.

Shkaku i erës së djegies nuk ishte menjëherë i qartë.

“Avioni ndodhet ende këtu”, tha zëdhënësi sot në mëngjes, duke shtuar se linja ajrore do të merret tani me rastin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re