Nicolás Maduro dhe gruaja e tij, Cilia Flores, pritet të dalin sot para një gjykatë në New York në orën 12:00 lokale (18:00 me atë shqiptare).
Në seancë do t’u lexohen akuzat, nga një aktakuzë 25-faqëshe, që përfshin importim për trafik droge dhe armësh, si dhe “narko-terrorizëm”.
Çështja po drejtohet nga gjyqtari 92-vjeçar Alvin Hellerstein. Pas seancës, ata pritet të kthehen në paraburgim, pasi duket e pamundur që të lirohen me kusht.
Ndërkohë, nuk kanë munguar debatet gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit në OKB
“Ne nuk po pushtojmë Venezuelën, ka qenë një operacion policor. Në përputhje me akuzat legjitime në fuqi prej dekadash, Shtetet e Bashkuara kanë arrestuar një narkotrafikant i cili tani do të gjykohet në SHBA, në respekt të shtetit të së drejtës, për krimet e kryera kundër popullit tonë gjatë 15 viteve të fundit”.
Kështu deklaroi ambasadori amerikan në OKB, Mike Waltz, pas pretendimeve kryesisht të Rusisë në Këshill.
“Maduro është akuzuar nga një juri dhe duhet të përballet me akuza penale shumë të rënda. Provat dërrmuese të krimeve të tij do të paraqiten hapur”, shtoi ai.
