
Një rrëshqitje dheu ka ndodhur pranë fushës së Ali Demit, në afërsi të një objekti në ndërtim, duke marrë me vete një pjesë të trotuarit dhe skelat që ishin të vendosura në kantier.
Si pasojë e rrëshqitjes, zona paraqitet e rrezikshme, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në strukturat ndihmëse të ndërtimit. Në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila ka rrethuar zonën dhe po monitoron situatën.
Deri në këto momente, nuk ka të dhëna për persona të lënduar, ndërsa priten verifikime të mëtejshme nga autoritetet për shkaqet e rrëshqitjes dhe nivelin e rrezikut.



