Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë për mediat këtë të martë, ku e krahasoi situatën në vendin tonë me atë në Venezuelë. Ai i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama, që të japë dorëheqjen, para se ta heqin edhe atë si Nicolas Maduron.
“Shqipëria nuk është Venezuelë dhe nuk ka naftën e Venezuelës, por Shqipëria në disa anë është Venezuelë tipike. Rama dhe Maduro janë si një pikë uji e pistë të ndarë në mes. Rama udhëheq kartelet më të fuqishme të kokainën në Europë. Edi Rama njëlloj si Ramaduro i ka familjarët të zhytur në drogë.”, u shpreh Berisha, duke i bërë thirrje kryeministrit Rama të japë dorëheqjen vetë.
Protesta e radhës para datës 20 shkurt
Po ashtu, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Berisha u shpreh se protesta e radhës e Partisë Demokratike do të zhvillohet “para datës 20 shkurt”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen.
“Rama e Balluku po bllokojnë proceset gjyqësore”
Gjatë kësaj deklarate për shtyp, Berisha e ka akuzuar kryeministrin Rama dhe qeverinë e tij për shkatërrim dhe manipulim dokumentesh, me qëllim, sipas tij, pengimin e proceseve gjyqësore.
Berisha u shpreh se, sipas tij, në institucione të ndryshme shtetërore dhe në AKSHI po punohet për asgjësimin dhe falsifikimin e dokumenteve, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbuluar abuzime të rënda financiare.
“Në epiqendrën e krimit të organizuar në Shqipëri, në Ballkan dhe në Europë, ndërtesën e Ramaduros, makineria e manipulimit, shkatërrimit, asgjësimit, falsifikimit të dokumenteve punon me tre turne. Lubi Balluku dhe Edi Rama kanë mobilizuar grupe të tëra me të cilat shkatërrojnë, falsifikojnë, manipulojnë dokumente si në dikasteret dhe agjencitë në varësi të Lubisë, ashtu dhe në AKSHI-n e familjes Rama.
Ndaj dhe po bëhet gjithçka për të bllokuar proceset gjyqësore të një rëndësie të jashtëzakonshme, shqyrtimi i dosjeve të gjertanishme nxjerr vjedhjen dhe shpërdorimin e 1.2 miliardë eurove nga Rama dhe Balluku në sektorin e infrastrukturës dhe të paktën 700 milionë euro në kopshtin privat të Edi Ramës me 530 prokurime sekrete, nga të cilat të gjitha direkt apo me prestanome për baxhanakun e floririt apo kunatin e florinjtë të Linda Ramës dhe baxhanakun e florinjtë të Edi Ramës. Këto janë akte jashtëzakonisht të rënda dhe antikushtetuese. Edi Rama me makinërinë e tij të shkatërrimit të dokumenteve, falsifikimit dhe manipulimit, nuk mund të fshehë kurrë mbi 500 e sa kontrata sekrete të firmosura nga Linda e AKSHI-t me porosi të Lindës së Surrelit për kunatin e florinjtë. Nuk fshihen ato.”, tha Berisha.