Skip to content

Gjirokastër / Inerte, rrugë të bllokuara dhe biznese të dëmtuara nga përmbytjet


Përmbytjet e mbrëmshme në Gjirokastër, si pasojë e daljes nga shtrati të përroit të Ficos, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në lagjen “Varrosh”, duke lënë pas sasi të mëdha inertesh në rrugë dhe në bizneset përgjatë aksit të përmbytur.

Uji ka pushtuar rrugët dhe ambientet e disa subjekteve tregtare, duke shkaktuar dëme materiale dhe vështirësi në qarkullim. Si pasojë e rrjedhës së fortë, inertet janë depozituar në disa segmente, duke bllokuar përkohësisht lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve.

Autoritetet vendore dhe shërbimet e emergjencës kanë nisur punën në terren për pastrimin e rrugëve, largimin e inerteve dhe normalizimin e situatës, ndërsa po vlerësohen edhe dëmet e shkaktuara në banesa dhe biznese.

Situata po mbahet nën monitorim, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet në zonat e prekura deri në rikthimin e plotë të normalitetit.