Ali Ahmeti, politikani kryesor shqiptar i një çerek shekulli në Maqedoni, i ka dedikuar një kujtesë nekrologjike atij që cilësohet si hoxha më i madh i trojeve shqiptare në vitet ’90-ta, Jakup Asipi i Sllupçanit të Kumanovës, njëherësh ish-luftëtar i UÇK-së në luftën e 2001-shit.
“Njëzet vite pa dijetarin Jakup Asipi (Allahu e mëshiroftë)”, nis e shkruan Ali Ahmeti, edhe pse vjen nga një formim tipik nacionalisto-majtist, duke implementuar kështu te vetja terminologji tipike islame, duke vijuar:
“Para veprës heshtin fjalët!
Jakup Asipi lindi në fshatin Sllupçan më 2 shkurt 1951, shkollimin fillor e kreu në vendlindje, atë të mesëm në Damask të Sirisë, studimet i kreu në universitetin Al-Az’har të Egjiptit, ndërsa studimet postdiplomike i vazhdoi në Bejrut të Libanit.
Gjatë viteve 1985–1990 punoi si imam në një xhami në Leverkusen të Gjermanisë, ku ka dhënë kontribut të çmueshëm në kultivimin e vlerave fetare, morale, kulturore e kombëtare. I vetëdijshëm për situatën në trojet tona, në vitin 1990 kthehet në vendlindje për të kontribuar në gjendjen e rëndë të popullatës. Në ligjëratat e tija ishte shumë i përpiktë dhe i guximshëm, kështu që ju ka bërë ballë kërcënimeve dhe marrjeve të shumta në pyetje nga ana e policisë maqedonase.

Në vitin 2001, gjatë luftës në Maqedoni, Jakup Asipi u paraqit si njëri ndër strategët kryesorë në organizimin dhe përkrahjen e luftës, sepse ishte i bindur se vetëm përmes kryengritjes populli do të ishte në gjendje t’i arrinte liritë dhe të drejtat e veta.
Ndërroi jetë më 7 janar 2006 në një aksident rrugor në autostradën Shkup – Kumanovë”.
Sigurisht, Jakup Asipi është shumë më tepër se këto rreshta të shkruar nga Ali Ahmeti, por vlen në këtë rast fakti se kreu i BDI-së dhe njëherësh ish-komandanti i UÇK-së e rendit veten te ata pak politikanë në Maqedoni që i thurrin lavde publikisht ndoshta personalitetit më të madh islam në Maqedoni. /tesheshi.com/



