Fushë Kuqe po përballet me një situatë dramatike për shkak të përmbytjeve, ndërsa banorët denoncojnë mungesë totale të ndihmës institucionale. Shtëpia e zotit Agim Shaptej është e izoluar plotësisht nga uji, pa asnjë ndërhyrje apo mbështetje nga Bashkia Kurbin.
Sipas banorit, uji ka hyrë brenda banesës, duke shkaktuar dëme të rënda materiale, ndërsa disa krerë bagëti kanë ngordhur.
Situata paraqet rrezik serioz për jetën e familjes, e cila është lënë në mëshirë të fatit.
“Kjo nuk është një fatkeqësi natyrore, por një dështim i plotë i menaxhimit të përmbytjeve”, shprehet banori, duke theksuar se mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve dhe reagimit të institucioneve ka përkeqësuar situatën.
Në terren ka qenë edhe deputetja Elda Hoti, e cila ka dëgjuar nga afër shqetësimet e banorëve dhe ka denoncuar publikisht mungesën e institucioneve lokale.
Sipas Hotit, autoritetet janë zhdukur pikërisht në momentin kur qytetarët kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe ndërhyrje urgjente.
Banorët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga Bashkia Kurbin dhe institucionet përgjegjëse, për evakuim, ndihmë emergjente dhe zgjidhje afatgjata për të shmangur përsëritjen e këtyre situatave.
LEXO EDHE: Sot dhe nesër reshje intensive në të gjithë vendin, IGJEO: Zonat më të rrezikuara



