
Në emisionin “Përtej Traditës”, të gazetarit Shkëlzen Henkoja në TV Fax News, këtë puntatë udhëtojmë në Pezë, një nga zonat me histori dhe identitet të veçantë, ku tradita dhe vlerat ushqimore vazhdojnë të mbeten shtyllë e jetës komunitare. Peza njihet për produktet e saj natyrale, ushqimin bio dhe kuzhinën tradicionale, të cilat ruhen me përkushtim nga banorët dhe trashëgohen brez pas brezi.
Gjatë emisionit, shikuesit njihen nga afër me mënyrën e përgatitjes së ushqimeve tradicionale, përdorimin e produkteve vendase dhe rëndësinë që këto vlera kanë jo vetëm për shëndetin, por edhe për zhvillimin e turizmit rural. Kuzhina e Pezës nuk është thjesht pjesë e traditës, por një pasuri që sot po shndërrohet në mundësi ekonomike për familjet e zonës.
Një vëmendje e veçantë i kushton rolit i administratorit së Njësisë Administrative Pezë,z Pandeli Hasmadhi i cili përmes projekteve konkrete, mbështetjes institucionale dhe nxitjes së investimeve lokale, po krijon një klimë të favorshme për zhvillim. Këto politika kanë ndikuar drejtpërdrejt në rikthimin e emigrantëve, të cilët po investojnë në bujtina, agroturizëm dhe biznese familjare, duke kontribuar në gjallërimin ekonomik dhe social të zonës.
Emisioni sjell dëshmi dhe histori reale të banorëve dhe emigrantëve të kthyer, të cilët tregojnë se si mbështetja e pushtetit vendor dhe lidhja me tokën kanë qenë vendimtare për vendimin e tyre për të investuar në Pezë. Ky model zhvillimi po e kthen zonën në një shembull pozitiv se si tradita, ushqimi i shëndetshëm dhe bashkëpunimi me institucionet mund të sjellin rezultate konkrete.
“Përtej Traditës” vjen si një pasqyrë e qartë e potencialit që kanë zonat rurale shqiptare, duke përcjellë mesazhin se ruajtja e identitetit, promovimi i vlerave ushqimore dhe mbështetja e emigrantëve janë çelësi për një zhvillim të qëndrueshëm dhe për rikthimin e jetës në fshat.
