Kryeministri Edi Rama do të mbledh sot Komitetin e Emergjencave. Mësohet se mbledhja do të zhvillohet në orën 08:30, ndërsa në të do të diskutohet në lidhje me masat për të përballuar situatën nga përmbytjet që kanë prekur vendin ditët e fundit. Në mbledhje do të diskutohen masat dhe plani për dëmshpërblimin e banorëve të prekur nga përmbytjet.
Prej katër ditësh disa qarqe në vend po përballen me situatë alarmante. Ndërkohë dje janë bërë evakuime për banorët në Novoselë, Vlorë e Fier si dhe në Sukth dhe Katund të Ri në Durrës.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se evakuimi do të realizohej përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefektin e Qarkut Fier dhe strukturat e Emergjencave Civile në bashki.
