Në një përpjekje për të mbrojtur fuqinë blerëse të qytetarëve, qeveria e Serbisë ka ndërmarrë një ofensivë frontale kundër çmimeve të larta, duke kombinuar rregullimin shtetëror me nxitjen e konkurrencës së huaj.
Ministrja e Tregtisë, Jagoda Llazareviç, ka bërë të ditur se strategjia e re nuk është një ndërhyrje e izoluar, por një plan afatgjatë për të disiplinuar rrjetet e shitjes me pakicë që operojnë me fitime të fryra.
Dhe rezultatet e para të kësaj politike janë tashmë të dukshme. Sipas të dhënave zyrtare, inflacioni në Serbi ka pësuar një rënie drastike nga 4.7 për qind në gusht 2025, në 2.8 për qind në nëntor 2025.
Ky sukses i atribuohet kryesisht Rregullores për Kufizimin e Fitimit, një masë që sipas ministres Llazareviç, shërbeu për të demaskuar presionin që tregtarët ushtronin mbi furnizuesit dhe fitimet artificiale që u ngarkoheshin konsumatorëve.
Drejt një tregu më të lirë
Në dallim nga masat e përkohshme, Serbia po përgatit një kuadër të fortë ligjor. Brenda tre muajsh pritet miratimi i Ligjit për Praktikat e Padrejta Tregtare, i cili do të shoqërohet me penalitete të rrepta për të siguruar transparencë.
Një element inovativ është Portali i të Dhënave të Hapura dhe zhvillimi i një aplikacioni që do t’u lejojë qytetarëve të krahasojnë në kohë reale çmimet e shportës në 27 zinxhirët kryesorë të shitjes, duke rritur presionin mbi shitësit që mbajnë fitime të larta.
Llazareviç vuri “gishtin në plagë”, duke vërejtur se produkte të caktuara të markave private në Serbi janë aktualisht 40-50 për qind më të shtrenjta se në vendet e tyre të origjinës, pavarësisht se të ardhurat serbe janë dukshëm më të ulëta.
Për të thyer këtë monopol, Serbia po tërheq në mënyrë aktive lojtarë të rinj ndërkombëtarë, si gjigandin italian të produkteve me çmime të ulëta “Eurospin”, i cili është tashmë në fazën përgatitore për të hapur pikat e tij në të gjithë vendin.
Ministrja paralajmëroi se shitësit nuk mund të imponojnë më objektiva fitimi të vendosura nga kompanitë e huaja në kurriz të publikut serb.
Kontrasti me Shqipërinë: Qeveria Rama në rolin e spektatorit
Ndërsa Beogradi ndërhyn me ligje të rrepta dhe kontroll mbi fitimet e tregtarëve, në Shqipëri situata mbetet dramatike dhe pa asnjë shpresë për ndryshim. Qytetarët shqiptarë përballen me çmime shpeshherë më të larta se në Bashkimin Evropian.
Por ndryshe nga fqinji verior, qeveria Rama nuk ka shfaqur asnjë vullnet për të frenuar abuzimet e oligopoleve të tregtisë me pakicë që arkëtojnë fitime rekord.
Për qeverinë shqiptare, rritja e çmimeve duket se trajtohet si një fenomen “natyror”, ku shteti nuk mund të ndërhyjë, duke i lënë konsumatorët të pambrojtur përballë fitimeve të pakontrolluara të bizneseve të mëdha.



