
Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin në lidhje me atentatin në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilamando Dani dhe ish agjenti i AMP-së, Muçi Shaljani, ngjarje e ndodhur më 11 nëntor 2025.
Shullazi do të pyetet nëse ka dyshime për persona të caktuar që kanë organizuar atentatin ndaj mikut të tij Gilmando Dani.
Dani ishte anëtar aktiv i grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi. Ai ishte dënuar për gjobëvënie dhe liruar nga burgu në tetor 2024.
Gilmando Dani udhëtonte në një automjet me Muçi Shaljanin ku u qëllua për vdekje, të dy sapo ishin kthyer nga Spanja.
Ditët e fundit janë marrë dëshmitë e disa personave që janë gjendur në Rinas, pasi ka dyshime se grupi kriminal ka patur informatorë në aeroport që i ka njoftuar për lëvizjet e viktimave.
Si ndodhi atentati
Gilmando Dani, 47 vjeç, u vra më 11 nëntor 2025, pranë rrethrrotullimit të Rinasit, pak pasi kishte mbërritur në Shqipëri nga Barcelona.
Ai ishte bashkë me Muçi Shaljani (Sheqeri) 40 vjeç punonjës i AMP-së (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore) dhe pasi zbresin në Rinas, marrin nga parkimi i aeroportit një mjet tip “Mecedez Benz” ngjyrë të bardhë. Sapo mbërritën pranë rrethrrotullimit, një grup i armatosur iu preu rrugën duke lëshuar disa breshëri kallashnikovi.
Dani humbi jetën në vendngjarje ndërsa Shaljani ndërroi jetë pas disa ditësh në spital.
