Uniformat blu të Korçës dhe të Shkodrës, kanë zhvilluar operacion për arrestimin e personave të shpallur në kërkim këtë të diel, 11 janar.
Në pranga kanë rënë dy persona.
Policia e Shkodrës ka arrestuar 39-vjeçarin me iniciale T.B., pasi Gjykata e Durrësit, më 31 korrik 2025 ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest në burg” për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Sakaq, Policia e Korçës ka arrestuar 31-vjeçarin me iniciale A.K., pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Koordinimi”.
Operacioni për kapjen e personave në kërkim.
Kapen, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, dy persona të shpallur në kërkim, për veprat penale “Mashtrim”, “Shpërdorim detyre” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim T. B., 39 vjeç, banues në Shkodër.
Gjykata e Durrësit, më datë 31.07.2025, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Po në vijim të operacionit, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec, u bë e mundur kapja e personit tjetër në kërkim, shtetasit A. K., 31 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Mashtrim”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.
