Skip to content

Trump mund të marrë Grenlandën vetëm duke derdhur gjak!

Ideja e administratës së Donald Trump për të aneksuar Groenlandën nuk është më një spekulim i largët, por një kërcënim që po trondit themelet e aleancës perëndimore. Në një intervistë ekskluzive për “New Statesman”, Rasmus Jarlov, Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes në parlamentin danez, ka lëshuar një paralajmërim drithërues: çdo përpjekje amerikane për të marrë kontrollin ushtarak të ishullit do të thotë luftë e hapur.

Jarlov theksoi se është “absurde” dhe “një çmenduri”, që kërcënimi më i menjëhershëm për sigurinë e Danimarkës vjen tashmë nga një prej aleatëve të saj më të ngushtë. Ai bëri të qartë se nëse amerikanët tentojnë të marrin kontrollin e policisë, gjykatave dhe të drejtojnë Groenlandën si territor të tyre, ushtarët danezë që gjenden atje, do të jenë të detyruar të luftojnë.

Ky skenar do të ishte një katastrofë për botën demokratike, pasi do të shënonte fundin e NATO-s dhe një “autogol” historik për Perëndimin, duke lënë Rusinë dhe Kinën si fituesit e vetëm të kësaj marrëzie.

Gjatë bisedës për “New Statesman”, Jarlov kujtoi se Danimarka ka humbur më shumë ushtarë në Afganistan si përqindje e popullsisë sesa çdo aleat tjetër, duke pyetur me hidhërim se pse dikush do të donte të ishte aleat i SHBA-së nëse trajtohet në këtë mënyrë.

Pavarësisht se marrëveshjet ekzistuese i japin Uashingtonit akses të plotë ushtarak, Trump mbetet i fiksuar pas “pronësisë, duke deklaruar se ajo i jep elementë që një traktat nuk i mundëson dot.

Ai ka pohuar se do të veprojë për të marrë Grenlandën “pavarësisht nëse u pëlqen apo jo” danezëve dhe evropianëve. Nga ana tjetër, 85 për qind e banorëve të Grenlandës e refuzojnë mundësinë për t’u bërë pjesë e SHBA-së.

Pra mesazhi i Kopenhagenit mbetet i prerë: Groenlanda nuk është në shitje dhe kushdo që tenton ta marrë me forcë do të duhet të qëllojë mbi njerëz të pafajshëm, që deri dje i konsideronte aleatë.