
Teksa situata me përmbytjet në vend ka ardhur në përmirësim, kryeministri Edi Rama, në një postim të fundit në rrjetet sociale, publikon shifrat lidhur me fondet e parashikuara për mbrojtjen civile dhe parandalimin e fatkeqësive natyrore.
Sipas kreut të qeverisë, 1.5 miliardë lekë do të shkojnë për financimin e projekteve për parandalimin e fatkeqësive natyrore ndërsa 300 milionë për financimin e projekteve për digat dhe rezervuarët.
Rama shton se, 500 milionë lekë për kompensimin e qytetarëve dhe 500 milionë të tjera për investime.
Nën hashtagun “Ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, Rama shkruan:
“Fondet e parashikuara për mbrojtjen civile synojnë rritjen e sigurisë përballë fatkeqësive natyrore, garantimin e kompensimit për qytetarët e prekur, si dhe forcimin e masave parandaluese për reduktimin e rreziqeve në të ardhmen”.

