Marinela Osmani do të jëtë gjyqtarja e cila do të shqyrtoje kërkesën e SPAK për kalimin për gjykim të dosjes ndaj kryetarit të Bashkisë Shkodër Benet Beci, gruas së ish kreut të ARRSH Ervis Berberi dhe pesë zyrtarëve të tjerë, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim.
Shorti elektronik ka përcaktuar pikërisht këtë gjyqtare, ndërsa ditët në vijim do të përcaktohet data dhe ora e seancës.
Kryebashkiaku i Shkodrës Benet Beci akuzohet nga SPAK se kur drejtonte Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare se ka shkelur ligjin në tenderin për “Zhvillimin strategjik të sektorit energjetik” në vitin 2019.
Sipas SPAK, “objekt i këtij hetimi është një procedurë prokurimi e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me nr. REF-46463-12-18-2019, me fond limit 69,500,000 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e pesëqind mijë) lekë”.
Bashkë me kryebashkiakun e Shkodrës, në gjykim janë dërguar edhe: Adela Ruko (bashkëshortja e Ervis Berberit), Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, Rudin Gjoni.
Hetimet nisën pas zbërthimit të telefonit të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, ku u zbuluan biseda kompromentuese për abuzimin me këtë tender.



