Pas urdhrit të Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, i cili caktoi datën 28 janar për rimbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar imunitetin e zv.kryeministres, Belinda Balluku, ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

Sipas tij, bllokimi 6-javor i Këshillit është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste.

“Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve”, thotë ndër të tjera Bardhi në reagimin e tij.

Reagimi i Gazment Bardhit:

“Pas kallëzimit penal për shpërdorim detyre nga Grupi Parlamentar i PD, sot pasdite Niko Peleshi ka njoftuar se do të mbledhë Këshillin e Mandateve në datën 28 Janar 2026, pra fiks 6 javë pasi SPAK ka paraqitur kërkesën.

Ky bllokim 6-javor është i paprecedent dhe një akt i lartë papërgjegjshmërie nga ana e mazhorancës socialiste, që ka vendosur të jetë bunkeri i të korruptuarve të qeverisë së Edi Ramës.

Pengimi i drejtësisë dhe bllokimi nga Kuvendi i shqyrtimit të kërkesës së SPAK për 6 javë, ka cënuar hetimet dhe i ka dhënë mundësi të pandehurës Balluku që të tentojë prishjen e provave/intimidimin e dëshmitarëve.

Edi Rama nuk fshihet më në vullnetin e tij për të mbrojtur korrupsionin qeveritar. Akte si këto, të diktuara nga tmerri se drejtësia po i afrohet më në fund atij vetë, tregojnë se sa të shpejtë dhe të dhimbshëm do ta ketë fundin e tij.

Në emër të Grupit Parlamentar të PD dënoj me forcë shkeljen e Rregullores nga Niko Peleshi dhe zbatimin prej tij të urdhërit politik të Edi Ramës për të zvarritur çështjen dhe për të penguar drejtësinë”.

Kujtojmë se, po ditën e sotme Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi në SPAK kallëzim penal për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, ndaj Kryetari të Kuvendit Niko Peleshi.

Në arsyetimin e saj PD thotë se kryetari i Kuvendit  ka bllokuar mbledhjen e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK që kërkon heqjen e mandatit të Ballukut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re