
Arratiset nga Spitali i Durrësit i burgosuri Altin Ndoci.
Ai u shoqërua ditën e sotme nga qelia e burgut të Durrësit drejt Spitalit Infektiv për të marrë mjekim për një problem shëndetësor, por ka arritur të arratiset.
Pjesë e grupit të Çopjave, ai akuzohet për vrasjen e Besmir dhe Viktor Haxhisë, si edhe Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.
Ai qëndronte në burg që prej majit të vitit 2020.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes“, njoftojnë Burgjet.