Skip to content

Nga “Masakra e Bradasheshit” tek vrasja e dy vëllezërve në Durrës, kush është i arratisuri Altin Ndoci?

I burgosuri në burgun e Durrësit, Altin Ndoci, 34 vjeç, me origjinë nga Puka dhe banues në Tiranë, u arratis sot nga Spitali i qytetit bregdetar.

Ai është i njohur nga organet ligjzbatuese për një sërë ngjarjesh kriminale si: trafik droge, grabitje, plagosje dhe vrasje, ndërsa konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Altin Ndoci akuzohet se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit, ku mbeti i vrarë vëllai i Endrit Alibej i njohur si Tarzai, xhaxhait Arben Dylgjeri dhe një shtetasi turk.

Ndoci u bë i njohur edhe pas rrëfimit të një bashkëpunëtori të policisë, i cili zbuloi lidhjet e tij në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë më 2 mars 2020, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia.

Sipas policisë, Altin Ndoci ka lidhje të ngushta me disa grupe kriminale, kryesisht me shumë të kërkuarin tjetër Talo Çela, i cili dyshohet se operonte për grupin “Çopja”.

Ai dyshohet gjithashtu të ketë marrë pjesë në ngjarje ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Muço, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit shpëtuan.

Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar prova që lidhen me rrjetin e tij kriminal, duke përfshirë makina të braktisura, gjurmë gishtash dhe njolla gjaku, të cilat lidhën Ndocin me disa nga ngjarjet e rënda që kanë tronditur vendin vitet e fundit.

Në një deklaratë paraprake, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve deklaroi se, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.

Burime bejne me dije se i arratisuri ka qëlluar punonjësin e sigurisë në derë dhe është larguar me shpejtësi nga kati i tretë i infektivit duke zbritur nëpërmjet shkallëve me shpejtësi.

LEXO EDHE: Pjesë e grupit të Çopjave, arratiset nga Spitali i Durrësit i burgosuri “VIP”