Skip to content

Arratisja e Altin Ndocit/ Nuk u respektua asnjë protokoll: U soll pa njoftim, as policia nuk kishte dijeni

Nuk është respektuar asnjë protokoll për shoqërimin e të paraburgosurit Altin Ndoci drejt Spitalit Rajonal të Durrësit.

Burime nga ky spital thonë se ka një protokoll për të vizituar një person të shoqëruar apo dënuar, i cili përfshinë njoftimin e spitalit dhe përgjegjësave të reparteve për kërkesë-vizitë për të dënuarit përpara se t’i sjellin në spital.

Kjo gjë nuk është zbatuar në rastin në fjalë.

Drejtoria e Paraburgimit nuk ka njoftuar spitalin për këtë vizitë, situatë kjo e përsëritur dhe me raste të tjera përgjatë muajit të fundit. Njoftim nuk i është bërë as policisë se Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës.

Në raste njoftimesh të tilla, spitali merr masa duke shtuar sigurimin në hyrjen e repartit dhe rrethon perimetrin sigurisë.

Altin Ndoci u arratis sot nga spitali i Durrës ku ishte shoqëruar nga Policia e Burgjeve për të kryer një vizitë mjekësore të planifikuar, konkretisht në repartin e Infektivit.

Ndoci ankohej për shqetësime në veshka, ndërsa Reparti i Infektivit ndodhet në godinë më vete brenda spitalit rajonal të Durrësit.

Godina është me 3 kate dhe vetëm dritaret e katit të tretë janë me hekura, pasi aty ndodhet dhoma e posaçme për vizitat e të paraburgosurve ose të dënuarve.

Kanë qenë 2 policë, e kanë shoqëruar në dhomën e kontrollit për vizitë. Tualeti ndodhet brenda dhomës së kontrollit, në katin 3 të repartit infektiv.

Altin Ndoci, i ka kërkuar të futet në tualet, e ka shoqëruar njëri nga policët, dhe e ka pritur te dera e tualetit brenda dhomës. Polici tjetër qëndronte brenda dhomës, në një cep tjetër të saj. Altin Ndoci ka dalë dhe ka qëlluar dy efektivët. Më tej ka shpartalluar derën (e mbyllur me çelës nga brenda).

Policët kanë dalë 12 sekonda pasi i paraburgosuri është larguar nga dera kryesore e infektivit, kjo e verifikuar me kamerat e sigurisë te vendosura jashtë spitali.

Altin Ndoci ka zbritur nga shkallët, ka dalë nga dera kryesore e godinës dhe me vrap ka ecur drejt traut të vendosur në hyrje të godinës së spitalit për parkimin e brendshëm të makinave. Kjo lëvizje, nga dera e infektivit te trau në dalje i spitalit, nuk është as 50 metra. Direkt pas traut, e prisnin 2 automjete, një “Audi A7” luksoz ku dhe ka hipur Ndoci dhe një tjetër mjet.

Brenda traut, në pjesën e oborrit të godinave spitalore ndodhej furgoni i burgjeve. Polici i burgjeve që e ka ndjekur Ndocin, ka qëlluar me armë në tokë, sapo ka dalë nga godina e infektivit, për të trembur të paraburgosurin.

SKEDA E ALTIN NDOCIT

“Karrierën” e tij kriminale Altin Ndoci e ka nisur shumë i ri.  I lindur shtatorin e vitit 1987 në Trashan të Lezhës, sot 38-vjeç, përpara së të futej në organizatat më të mëdha kriminale të vendit, Ndoci ka qenë i përfshirë në trafik droge ndërsa në vitet 2014-2015 ishte bërë tmerri i Tiranës, për të paktën 10 grabitje me dhunë.

Si pjesë e krimit të organizuar akuzohet se ka marrë pjesë në disa vrasje të bujshme, ka qenë pjesë e planeve për disa të tjera, përfshirë luftën mes grupeve më të forta kriminale të Elbasanit, Endrit Alibejt dhe vëllezërve Çopja.

Dëshmia e Klevis Allës, një të penduari të drejtësisë që e humbi këtë status pas disa deklarimeve të rreme, është e para që përfshiu në listën e të dyshuarve për vrasje Altin Ndocin, të paraburgosurin e arratisur nga spitali i Durrësit.

Klevis Alla akuzoi se Ndoci ishte i përfshirë në 2 vrasje të ndryshme me 4 viktima, të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj dhjetorin e vitit 2019 në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdijës dhe Dorian Shkozës në vitin 2020, po në qytetin bregdetar.

Por në prill të 2024-ës Gjykata e posaçme pushoi akuzat duke e shpallur të pafajshëm. Vetë Klevis Alla që e kishte përfshirë në këto vrasje u dënua nga Gjykata e Posaçme me 25 vite burg si autor i vrasjes me pagesë të dy vëllezërve Haxhia për llogari të grupit të Talo Çelës, pas mosmarrëveshjeve mbi paratë e grabitura në aeroportin e Rinasit

Megjithëse mori pafajësi, Altin Ndoci nuk mund të lirohej nga burgu. Ndaj tij SPAK ngriti akuza të tjera të rënda për vrasje, pas dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Erion Alibejt, dy të penduar të tjerë të drejtësisë.

Nga Dumani Altin Ndoci akuzohet  si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit në 2019-ën në Peqin. Ndërsa nga Alibej, 38-vjeçari Ndoci akuzohet se ka qenë pjesëmarrës në masakrën e Bradasheshit  me 3 tre vrarë në dhjetor të 2018-ës. Në këtë ngjarje mbeti i ekzekutuar edhe vëllai i bashkëpunëtorit të drejtësisë, Endrit Alibej. Pas kësaj ngjarje, Erion Alibej u betua të marrë hak, duke përfshirë në plan edhe vrasjen e Altin Ndocit. Ekzekutimi që nuk ndodhi kurrë, ishte planifikuar të kryhej gjatë varrimit të vëllezërve Haxhia të vrarë në Durrës 6 vite më parë, pasi Ndoci i kishte miq. I riu nga Trashani i Lezhës, ose nuk shkoi në varrim nga frika e një atentati ndaj tij, ose ekzekutorët nuk arritën ta identifikonin dot. Vetë Ndoci, sipas transkriptimeve në bisedat në Skyecc ka bërë disa herë plane për ekzekutimin e Erion Alibejt, që do ta realizonte vetë me snajper, por edhe këto plane dështuan.

Altin Ndoci është dërguar për gjykim nga SPAK një herë në vitin 2023 për vrasjen e dhjetorit 2019 ndaj Andi Zylyfit dhe më pas në tetor 2025 me organizatën kriminale të Çopjave.

SPAK thotë se Altin Ndoci ishte pjesë e grupit të Talo Çelës, i cili drejtonte krahun e armatosur të organizatës së kryesuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Ai ishte rekrutuar nga Talo Çela si vrasës me pagesë. Pas arratisjes së shumëkërkuarit Talo Çela, Ndoci e ndihmoi atë që t’i fshihej prangosjes, duke i garantuar strehim dhe ushqim.

I arratisuri cilësohet nga autoritet një personazh me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, dhe dallohet si vrasës gjakftohtë mes elitës së krimit të organizuar në vend.