Skip to content

Velipojë/ Parandalohet ngjarja kriminale. Konfliktohen dy persona, njëri prej tyre me pistoletë

Një konflikt mes dy personave që mund të merrte përmasa më të mëdha është parandaluar në Velipojë. Dy persona, përkatësisht 42 dhe 47 vjec u konfliktuan fizikisht me njëri tjetrin ndërsa mësohet se njëri prej tyre mbante me vete edhe një pistoletë.

Burime zyrtare të policisë së Shkodrës thanë se kanë vënë në pranga 47-vjecarin, të cilit i sekuestruan edhe armën e zjarrit. Ndërsa si pasojë e konfliktit fizik 42 vjecari u dërgua në spital për kujdes shëndetësor.

Njoftimi i policisë:

U konfliktua fizikisht për motive të dobëta, me një 42-vjeçar, në fshatin Gomsiqe, dhe posedonte një armë zjarri pistoletë, kapet dhe vihet në pranga 47-vjeçari. Sekuestrohet pistoleta.

Nga konflikti fizik u dëmtua 42-vjeçari, i cili po merr mjekim në spital.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Gomsiqe, dy shtetas ishin konfliktuar me njëri-tjetrin dhe për pasojë ishte dëmtuar njëri prej tyre, organizuan punën për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u kap dhe u arrestua shtetasi N. S., 47 vjeç. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi N. S. është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta, me shtetasin F. K., në fshatin Gomsiqe. Si pasojë e konfliktit është dëmtuar shtetasi F. K., i cili po merr mjekim në Spitalin Rajonal Shkodër.

Në vijim të veprirmeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. S., shërbimet e Policisë gjetën dhe  sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë që ai e posedonte pa leje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.