Kanë kaluar më shumë se 24 orë nga arratisja e Altin Ndocit dhe pavarësisht kërkimeve në disa qytete, autoritetet nuk kanë rënë ende në gjurmët e tij.
Por cilat janë shkeljet e rënda që identifikohen në shoqërimin e tij dhe jo vetëm?
Rregullorja e Përgjithshme e burgjeve parashikon në nenin 109, pika 2 se, “numri i punonjësve të sigurisë që bëjnë shoqërimin e të burgosurit të sëmurë në shërbimet e kujdesit shëndetësor jashtë institucionit caktohet në varësi të situatës, rrezikshmërisë, ambienteve, por në asnjë rast jo më pak se 3 (tre) punonjës sigurie për një të burgosur”.
LEXO EDHE: Video/ Fax News siguron videon e momentit kur i paraburgosuri Altin Ndoci arratiset me vrap nga spitali i Durrësit
Në furgonin e policisë së burgjeve, për të shkuar drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, nuk ishte vetëm Altin Ndoci, por dhe një tjetër i paraburgosur, i dyshuar për vepra jo të rënda.
Po sipas rregullores, do të duhej që minimalisht për shoqërimin e tij të ishin 6 punonjës sigurie. Në të vërtetë, ishin vetëm 5. (I gjashti ishte shoferi).
Altin Ndoci ishte një i paraburgosur i konsideruar “me rrezikshmëri të lartë shoqërore” dhe në këto raste protokollet e sigurisë nuk janë ato të një rasti normal.
Në situata të tilla përfshihen forcat operacionale, me një numër më të lartë efektivësh. Madje kërkohet dhe mbështetje nga policia. Dhe minimalisht dy furgonë. Por as kjo nuk ka ndodhur.
Policia e Shtetit pretendon se, nuk është njoftuar dhe jo më të kërkohej ndihmë. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka patur asnjë informacion.
LEXO EDHE: Arratisja e Ndocit, shkarkohet drejtori i Burgut Durrës
Spitali i Durrësit ka një dhomë qeli ku kryen visitation për të dënuarit dhe të paraburgosurit.
Në çdo rast, personeli mjekësor njoftohet paraprakisht. Këtë herë rezulton të mos ketë ndodhur.
Nuk mbaron me kaq. Sipas dinamikës së ngjarjes, Ndoci është shoqëruar lart, vetëm nga dy punonjës sigurie. Tre të tjerët shoqëronin të paraburgosurin tjetër, larg së qeni, i një rrezikshmërie të lartë.
Madje pasi ky i fundit ka përfunduar vizitën, të tre i kanë hipur furgonit për ta rikthyer në qeli, duke e lënë Ndocin, tërësisht në duart e vetëm dy kolegëve të tyre.
Por dyshimet duhet të nisin më herët.
Si mund të lihej në një burg të sigurisë së zakonshme si ai i Durrësit, një person me rrezikshmëri të lartë, i arrestuar me urdhër të SPAK, si pjesë aktive grupeve kriminale?
Pakujdesi apo plan i mirëorganizuar, këtë pritet ta vërtetojnë hetimet. Por diçka është e konfirmuar tashmë: arratisja e Ndocit është një dështim spektakolar.
