Skip to content

Skema e Altin Ndocit/ Gjashtë muaj plan për arratinë?

Arratisja e Altin Ndocit, i paraburgosuri i SPAK, i akuzuar për disa vepra të rënda penale, ndodhi pas një planifikimi të mirëorganizuar disa mujor.

Fillimisht i paraburgosuri, me një skedë të rëndë kriminale, ndërtoi një fabul për një sëmundje akute që e detyroi Policinë e Burgjeve ta çonte në Spitalin e Durrësit dhe jo në Spitalin e Burgjeve në QSUT.

Me pretendimin e krizave në veshka, Ndoci ka shkuar disa herë në repartin infektiv të spitalit Durrës, ku identifikoi hapësirat që do t’i hapnin dyert e arratisë këtë të martë, me ndihmën e bashkëpunëtorëve që e morën me makinë.

Një kërkesë për të shkuar në tualet pas vizitës ka qenë pikënisja e planit të arratisjes, ku pasi ka shtyrë policin që e shoqëronte, Ndoci ka dalë nga ambientet e spitalit në parking, ku e priste një Audi dhe një mjet tjetër që e shoqëronte.

Gjurmët e fundit janë kapur në Spitallë, ku kamerat kanë kapur mjetin me të cilin ai kreu arratisjen.

LEXO EDHE: “Doja që Talo Çela dhe Altin Ndoci të vriteshin, por jo…”/ Çfarë rrëfente në gjyq Nuredin Dumani?

Ndërkohë, 8 të arrestuar ka prodhuar deri tani kjo arratisje.

Kryesorët janë policët e grupit të shoqërimit, që e nxorën nga ambulanca e burgut pa pranga, si një qytetar të lirë, edhe pse akuzohet nga SPAK për vrasje e grup kriminal.

Për lëvizjen e Ndocit duket se nuk janë njoftuar as Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe as Policia e Shtetit.

Gjithashtu, Ministri i Drejtësisë shkarkoi drejtorin e Burgut të Durrësit dhe të gjithë zinxhirin komandues.

Emrat e të gjithë të shkarkuarve dhe arrestuarve:

Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës;

Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;

Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);

Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;

Aulon Quku – Kryeinfermier;

Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;

Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.

Pavarësisht kontrolleve në disa qytete të vendit ende nuk ka asnjë gjurmë të Altin Ndocit.