Pas arratisjes së Altin Ndocit qetësia ka marrë fund në burgun ‘hotel’ të Durrësit. 206 të dënuarit dhe të paraburgosurit që ndodhen aktualisht në këtë institucion do të futen në “sitë” për të vlerësuar rrezikshmërinë e tyre.

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka urdhëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve të hartojë një plan të ri dhe të rishpërndajë nëpër seksione të burgosurit, bazuar në rrezikun shoqëror që kanë.

Pika më e rëndësishme e urdhrit, transferimi i të gjithë personave me rrezikshmëri, që deri tani qëndronin në burgun e dalluar për ‘komoditetin e tij’, në një prej shtatë burgjeve të sigurisë së lartë në vend.

Në një seksion të veçantë në Durrës, aktualisht ndodhen 27 personazhe të botës së krimit, të konsideruar të rrezikshmërisë së lartë, mes 54 të dënuarve dhe 152 të paraburgosurve gjithsej. Altin Ndoci ishte një prej tyre, ndërsa dallon edhe Lulzim Berisha.

Burgu i Durrësit njihet edhe si “burgu i VIP-ave”

Në këtë institucion kanë vuajtur dënimin ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako dhe ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, të cilët tashmë kanë fituar lirinë.

Aktualisht, në Burgun e Durrësit vijojnë të qëndrojnë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ish-deputeti Jurgis Çyrbja, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-zyrtarë të tjerë të lartë të akuzuar nga SPAK dhe në proces gjykimi.

Gjatë kontrolleve të zhvilluara herë pas here në këtë institucion janë gjetur edhe telefona celularë, të fshehur në ambientet e jashtme të burgut.

Shqipëria ka 20 institucione të vuajtjes së dënimit, 7 nga të cilët të sigurisë së lartë, si: Peqini, Fieri, Drenova, Burreli dhe dy burgjet e Tiranës, 313 dhe 325.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re