
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nga Kompleksi Memorial në Reçak, tha se masakra ndaj 45 viktimave ishte dëshmia e gjallë se Serbia synonte që të zhdukte popullin shqiptar nga ‘faqja e dheut’.
“Në këtë 27-vjetor të Masakrës së Reçakut, edhe një herë kujtojmë viktimat e kësaj masakre të llahtarshme, e cila sërish dëshmoi qëllimin shfarosës që regjimi gjenocidal i atëhershëm i Serbisë kishte ndaj popullit të Kosovës. Reçaku dhe plagët e Reçakut ende flasin, sepse dhimbja është po aq e freskët sa ishte para 27 vitesh. Dhimbja është e freskët për familjet, por është e freskët për gjithë popullin e Kosovës, sepse ende nuk ka asnjë drejtësi për krimet që janë kryer këtu, por edhe në pjesë të tjera të Republikës së Kosovës. Edhe pas 27 vitesh, Serbia vazhdon me po të njëjtat politika dhe po të njëjtën mendësi, sepse mohimi i krimit, siç po bëjnë ata me mohimin e krimit të Reçakut, është krim i dyfishtë”, tha Osmani.



