Prokuroria e Posaçme, SPAK, kërkon burgim të përjetshëm për Altin Hajrin, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Pronari i kompleksit “Golden” cilësohet si një nga organizatorët e rrëmbimit të Prengës më 17 Janar 2020 në Kamëz dhe dërgohet nga grupi kriminal drejt kompleksit, ku torturohet dhe duket se u mbetet në dorë rrëmbyesve.

Sipas hetimeve, shkak ishte bërë një ngarkesë kokaine prej 260 kg, e vjedhur në portin e Portsmuthit nga vëllai i Jan Prengës dhe një mik i tij në Angli, por që i përkiste një karteli shqipfolës.

Po nga hetimet dhe dëshmitë e deritanishme, personat që janë prezantuar si pronarët e kokainës dyshohet se janë Gramoz Rexhepi, atëkohë nga burgu në Ekuador, i dënuar për narkotrafik dhe Gentian Funiqi (Doçi), në kërkim. Gramoz Rexhepi, i njohur edhe si Dritan, me precedentë të shumtë dhe i arrestuar vitin e kaluar në Turqi, ka kërkuar kthimin e mallit. Edhe pse droga dhe paratë u kthyen në Londër, nuk ndodhi kështu me Jan Prengën.

Policia dhe Prokuroria zbuluan nga një kamera e kompleksit “Golden” veprimet e grupit kriminal, teksa lëviznin trupin e pajetë të Prengës për ta zhdukur.

Fillimisht u arrestuan 6 persona dhe shpallën në kërkim 8 të tjerë.

Altin Hajri u arratis dhe shpall në kërkim. Bashkë me të Rexhepi dhe Funiqi.

Aktualisht Hajri rezulton se është ndihmuar dhe strehuar nga ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, pasi u shpall në kërkim për Prengën. Ai e ka fshehur në pronat e tij, kryesisht banesa. Komunikimet në platformën e koduar SKY ECC duket se kanë provuar dyshimet.

Hajri mbetet ende në kërkim dhe kontrollet e kryera nga Policia dje kanë dështuar përsëri në kapjen e tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re