Situata në territorin e qarkut Shkodër, paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim gradual.

Në përditësimin e situatës, Prefektura Shkodër njofton se në zonën e Dajçit vërehet rënie e nivelit të ujit, ndërsa te “Urrelat e Shirqit” nuk ka më prani uji. Aksi rrugor i Obotit vijon të ketë prezencë uji rreth 20–30 cm, por me tendencë rënieje të vazhdueshme.

Prefektura e qarkut Shkodër informoi se transporti i banorëve në zonat e prekura vijon të realizohet nga Regjimenti i Këmbësorisë së Veriut, me një automjet me kalueshmëri të lartë dhe 5 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i lumit Drin në Bahçallëk është në kuotën 7.2 m, ndërsa lumi Buna regjistrohet në kuotën 8.30 m në Pazar dhe 6.40 m në Dajç. Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve.

Nga DRV Shkodër raportohet se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor. Në akset malore rekomandohet qarkullimi me goma dimërore dhe/ose zinxhirë.

Sipas Prefekturës Shkodër, kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore shprehen se qarkullimi në akset Qafë Mali – Fierzë dhe K/Hadroj – Q/Bënë kryhet me goma dimërore/zinxhirë.

Akset rrugore Dedaj–Razëm, Bogë–Qafë Thore-Theth dhe Hani Hotit-Vermosh janë të kalueshme, por kërkohet respektim rigoroz i rregullave të qarkullimit, sinjalistikës dhe përdorimi i gomave dimërore ose zinxhirëve.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse, vijon të jetë në terren, duke monitoruar në mënyrë të vazhdueshme situatën.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re