Një studim i ri i publikuar në “Journal of Public Health”, ka sfiduar bindjen e përhapur se koha e kaluar në rrjetet sociale apo në lojëra online dëmton shëndetin mendor të adoleshentëve.
Rezultatet e hulumtimit, të kryer nga Universiteti i Mançesterit në Britaninë e Madhe mbi 25.000 nxënës të moshës 11-14 vjeç, tregojnë se përdorimi më i shpeshtë i mediave sociale ose lojërave nuk lidhet me rritje të simptomave të ankthit apo depresionit.
Çfarë zbuloi studimi
Studimi arriti në përfundimin se koha e kaluar para ekranit nuk kishte lidhje me përkeqësimin e shëndetit mendor, qoftë në TikTok, Instagram, Snapchat apo lojëra. Rritja e përdorimit nga vajzat dhe djemtë në periudha të ndryshme shkollore nuk solli pasoja negative vitin pasardhës. As bisedat aktive dhe as shfletimi pasiv i rrjeteve sociale nuk u shoqëruan me ndonjë rritje të vështirësive emocionale.
Mesazhi i studiuesve
Autorët theksuan se për problemet e shëndetit mendor nuk duhet fajësuar thjesht teknologjia. Sipas Dr. Qiqi Cheng, “historia është shumë më komplekse se kaq”. Presionet online, mesazhet e dëmshme dhe përmbajtja ekstreme mund të kenë ndikim negativ, por koha e kaluar para ekranit nuk është vetë shkaku i problemeve. Profesor Neil Hamfri shtoi se më e rëndësishme është çfarë bëjnë të rinjtë online, me kë lidhen dhe sa të mbështetur ndihen në jetën e përditshme.
Pse ka rëndësi ky studim
Në një kohë kur qeveritë po shqyrtojnë kufizime të reja për përdorimin e mediave sociale nga të miturit – si ndalimi i propozuar në Australi për të rinjtë nën 16-vjeç – gjetjet e studimit të Universitetit të Mançesterit, e përmbysin narrativën alarmiste dhe sugjerojnë se politikat publike duhet të fokusohen më shumë tek përmbajtja dhe përvoja online sesa tek numri i orëve të kaluara para ekranit./tesheshi/


