Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, është shprehur se objektivi kyç i qeverisë së kryeministrit Edi Rama është futja e Shqipërisë në BE para 28 nëntorit të vitit 2030.

Komentet Balla i bëri teksa foli në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, ku mbyllja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE duhet të bëhet brenda vitit 2027.

Ai tha gjithashtu se PS do të kërkojë në pranverën e vitit 2029 mandatin e pestë qeverisës te shqiptarët, teksa shtoi se Shqipëria nuk ka qenë kurrë më afër me BE-në sesa sot.

“Qeveria jonë dhe grupi ynë parlamentar po e nisin këtë sesion parlamentar me bindjen tonë të palëkundur se misioni ynë kombëtar i bashkimit të plotë me Europën, s’ka qenë kurrë i qartë dhe më afër sesa sot.

Detyra e secilit prej 83 mandateve tona, s’ka qenë kurrë më e qartë sesa sot, nesër dhe për çdo ditë në 40 muajt në vijim, deri kur diku mes pranverës së vitit 2029 t’i kërkojmë popullit shqiptar mandatin tonë të pestë qeverisës, bashkë me kryeministrin tonë Edi Rama. Përgjatë kësaj kohe, 3 janë sfidat tona për Shqipërinë 2030. E para të mbyllim negociatat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2027.

E dyta të mundësojmë ratifikimin në 27 parlamentet e vendeve anëtare të vendimit të KE-së për anëtarësimin e Shqipërisë në BE gjatë vitit 2028. Mundësisht këtu para zgjedhjeve për parlamentin europian në maj të vitit 2029. Dhe e treta që ta kemi ngritur deri në 28 nëntor 2030 flamurin tonë kuqezi në oborrin e familjes tonë europiane”, tha mes të tjerash Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re