Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas artikullit të publikuar në median greke “Prothema“, ku batutat e tij, të shkëmbyera në konferencën e një dite më parë në Abu Dhabi me moderator grekun John Defterios, janë trajtuar si ironike dhe ofenduse për Greqinë.
Sipas Ramës, “Protothema”, është media nacionaliste që i shërben “ndonjë politikani të lodhur grek” dhe se nuk ka asgjë tjetër në atë artikull përveç se deformim të kontekstit humoristik të shëmbyer në atë panel.
Reagimi i Ramës në “X”:
“Jam i mahnitur nga reagimi i disa mediave në Athinë e i ndonjë politikani të lodhur grek lidhur me tonet e mia aspak tendencioze, po me humor miqësor gjatë bashkëbisedimit me gazetarin e nderuar John Defterios në panelin e organizuar gjatë Samitit të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Abu Dhabi!
Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist, gjë që fatkeqësisht në Athinën mediatike ndodh shpesh!
Por i siguroj të gjithë të shqetësuarit e të lënduarit, se nuk kam as më të voglin dyshim që Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe që Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian; që kultura greke meriton vetëm admirim, jo vetëm për filozofët e lashtësisë po edhe për poetët, shkrimtarët, kineastët e muzikën që i ka dhënë njerëzimit; që
Greqia është një vend për të cilin unë ushqej ndjenjat më pozitive, që populli grek është për mua një fqinj i pazëvendësueshëm e vëlla i patjetërsueshëm i popullit shqiptar dhe që për kryeministrin e Greqisë ushqej një respekt të veçantë!
U kuptuam? Shpresoj po.
Por ama mos më kërkojë askush ndër të shqetësuarit dhe të lënduarit me humorin tim, që kush shkruan e flet greqisht me pathosin nacionalist të të larpërmendurve, të më duket si pasardhës i Platonit dhe Aristotelit! Kaq”.




